Shkupi 2028: Hapja parashihet te Ura e Gurit, programi kulturor në konsultim publik

Manifestimi “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028” parashihet të hapet më 23 shkurt 2028 te Ura e Gurit dhe të përfundojë më 21 shkurt 2029. Këto data figurojnë në projektprogramin e publikuar për konsultim publik. Qytetarët mund të dërgojnë propozime dhe komente deri më 23 nëntor 2026, transmeton Portalb.mk.

Fondacioni “Shkupi 2028” ka publikuar versionin e punës të programit kulturor, i cili përfshin katër etapa: “Kultura përtej ndarjeve”, “Aty ku takohemi”, “Gjallëroje Shkupin” dhe “E ardhmja e përbashkët”.

Hapja, e titulluar “Zgjimi i madh: Kultura përtej ndarjeve”, parashihet të zgjasë tri ditë. Aktivitetet do të shtrihen në Kala, Çarshi, Urën e Gurit, shesh, Qendrën Tregtare të Qytetit dhe përgjatë Vardarit. Programi përfshin koncerte dhe instalacione me drita e projeksione. Ndërhyrjet vizuale në lum parashihen të realizohen pa mjete kimike.

Për mbylljen janë propozuar koncert-homazh për Esma Rexhepovën, koncert i një pianisti maqedonas në Filarmoni, program me DJ në sheshin “Maqedonia”, premierë në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë dhe festival dritash përgjatë Vardarit.

Projektprogrami parashikon edhe aktivitete në biblioteka, si dhe shfrytëzimin e sallës së sporteleve të Postës Kryesore si hapësirë për art ose muze të trashëgimisë kulturore evropiane.

Nga Fondacioni theksojnë se në hartimin e programit mund të kontribuojnë të gjithë qytetarët.

“Nuk është e nevojshme të jeni profesionist në fushën e kulturës ose të përfaqësoni një organizatë: mjafton një përshkrim i shkurtër i idesë dhe një shpjegim se si ajo mund të kontribuojë në programin kulturor”, thonë nga Fondacioni.

Propozimet dhe komentet mund të dërgohen në info@skopje2028.mk, me titullin “Konsultim publik – Programi për kulturë i Shkupit 2028”, deri më 23 nëntor 2026. Para përfundimit të programit do të zhvillohen edhe takime me përfaqësues të skenës artistike dhe kulturore.

Shkupi e fitoi titullin në shtator të vitit 2023. Në vitin 2028 do ta ndajë atë me Çeske Budjejovicen në Çeki dhe Burzhin në Francë.

EvropaQyteti i ShkupitShkupi