Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përmes të dhënave të marra nga stacionet matëse automatike të Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, thotë se cilësia e ajrit në vendbanimin Trubarevë është brenda kufijve të lejuar, transmeton Portalb.mk.
Sipas matjeve të bëra për grimcat e pezulluara deri në 10 mikrometra (PM₁₀):
- koncentrimi mesatar ditor gjatë ditës së djeshme ka qenë 19.7 µg/m³,
- vlera maksimale e matur ka arritur 39 µg/m³,
- koncentrimi aktual është 7.5 µg/m³.
“Rezultatet e deritanishme nga matjet tregojnë se të gjitha vlerat mesatare të koncentrimit masor të PM₁₀ lëvizin brenda kufijve ligjorë të lejuar dhe deri tani nuk është regjistruar tejkalim i pragjeve të përcaktuara”, thonë nga Ministria.
Kujtojmë se zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por gjatë natës së incidentit e deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe është bërë transporti në një vendbanim tjetër i një personi të palëvizshëm.
Gjykata Penale ndërkohë më 15 shtator, urdhëroi paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh për katër persona, të cilët u mbajtën në Gjykatën Penale në lidhje me zjarrin, ndërsa Prokuroria më 16 shtator kërkoi vazhdimin e paraburgimit edhe për 48 orë të tjera.
- LEXO: Prokuroria kërkoi 48 orë të tjera paraburgim për katër të dyshuarit në lidhje me zjarrin në Trubarevë
- LEXO: Zjarri në Trubarevë është nën kontroll, katër zjarre janë aktive në ambiente të hapura