Në lidhje me deklarimet e deputetit Halil Snopçe rreth përfshirjes së Ministrisë për Administratë Publike në hartimin e ligjit të ri për përfaqësim adekuat, nga kjo Ministri kanë demantuar, duke theksuar se nuk janë të përfshirë në këtë çështje, transmeton Portalb.mk.
“Ministria për Administratë Publike e demanton krejt deklaratën e deputetit Halil Snopçe, në lidhje me pjesëmarrjen e Ministrisë për Administratë Publike në grupin e punës për përgatitjen e zgjidhjes ligjore me qëllim sigurimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike”, raportoi Ministria.
Ata deklarojnë se në mënyrë kategorike e demantojnë që ministri Goran Minçev është i përfshirë në këtë grup pune, duke shtuar që nuk janë të informuar në lidhje me formimin e këtij grupi.
“Theksojmë që çdo propozim për një zgjidhje të re ligjore duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut”, duke kërkuar nga çdo nismëtar të përfshirë ekspertë dhe të organizojnë debat publik gjithëpërfshirës.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot (28 tetor) u shpreh se nuk është në dijeni se janë formuar grupe pune për ligjin për përfaqësim të drejtë, ndërsa deputeti Halil Snopçe e ka demantuar duke deklaruar se ministri madje është anëtar i grupit punues. Deklarata e ministrit vjen pasi koalicioni “VLEN”, partner i VMRO-DPMNE-së në Qeveri, njoftoi se është duke hartuar një ligj për përfaqësim të drejtë.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
Vendimi për shfuqizimin balancuesit i përplasi partitë politike në vend. Fronti Evropian e quajt këtë vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Koalicioni VLEN nga ana tjetër tha se këtë instrument do ta zëvendësojnë me një Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup thanë se e presin zëvendësimin e “Balancuesit” duke e theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit.
- LEXO: Minçev thotë se nuk ka grupe pune për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Snopçe e demanton: Ministri madje është përfaqësues i ZNAM-it
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nga “VLEN” ende nuk ka arritur në Qeveri, Mexhiti: Versioni i parë të shkojë në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Balancuesi: VLEN paralajmëron debat publik për ligjin e ri, Mickoski kërkon që ai të dërgohet në Komisionin e Venedikut para se të votohet