Balancuesi: VLEN paralajmëron debat publik për ligjin e ri, Mickoski kërkon që ai të dërgohet në Komisionin e Venedikut para se të votohet

Kryeministri Hristijan Mickoski, duke folur në konferencën e sotme për media për paralajmërimet për Ligjin e ri për përfaqësim të drejtë pas “balancuesit”, tha se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë kushtetuese dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, transmeton Portalb.mk.

“Nuk do të jem ndërmjetësues, por ajo që di është se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë kushtetuese dhe duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Ndaj, ndoshta është më mirë para se të miratohet në parlament, të dërgohet për mendim, që të mos vijmë në këtë situatë, të shndërrohemi në ekspertë juridikë kushtetues, që nuk jemi dhe të themi si duhet vepruar”, tha Mickoski.

Ai shtoi se, pasi të kristalizohet zgjidhja që do të jenë në bazë të një propozimi, nevojitet që të dërgohet për mendim në Komisionin e Venedikut dhe më pas të miratohet.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, që vjen nga koalicioni VLEN tha sot se,“VLEN” po e përgatit ligjin për përfaqësim të drejtë, për të cilin, siç ka paralajmëruar, javën e ardhshme do të mbahet debat publik.

“Veçmë punojmë intensivisht dhe e kemi përgatitur Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Jo veç për përfaqësim të drejtë por edhe gjinorë dhe të kategorive të tjera të ndryshime të margjinalizuara në shoqëri. Kemi kërkuar edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë mendime. Unë besoj se nuk shkon më shumë se dy-tre javë dhe ligji do të dorëzohet në Parlament, por në ndër kohë ne të jemi të sinqertë duhet të koordinohemi edhe me partnerët e koalicionit”, u shpreh Taravari.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Arben TaravariBalancuesi - Ligji për përfaqësim të drejtëHristijan Mickoski HristianKomisioni i VenedikutMarrëveshja Kornizë e OhritVLEN koalicioni