Ministria e Arsimit në RMV mbylli edhe një institucion tjetër për shkak të parregullsive 

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka mbyllur edhe një institucion tjetër për shkak të parregullsive, raporton Portalb.mk

Instituti për Hulumtime Biometrike në Shkup është institucioni i tetë të cilit iu vu çelësi me vendim të MASH-it. 

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska për Alsat tha se nuk do të ketë tolerime për parregullsitë në arsim. 

“Vlerësoj por edhe jam shumë e sigurt se edhe pesë të tjerë do të mbyllen. Mangësitë janë të ndryshme. Ato fillimisht duhet të plotësojnë kushtet e hapësirave, duhet të plotësojnë kushtet për kuadrin, të kenë të punësuar më së paku pesë shkencëtarë me doktoraturë dhe administratë. Duhet të kenë plan dhe program për kërkimet shkencore, duhet zbatuar kërkimi shkencor, të publikohen rezultatet e kërkimeve shkencore”, tha Janevska. 

Ajo shtoi se në këto tetë institute tashmë të mbyllura, një pjesë ose dy-tre kur e panë atmosferën vendosën në mënyrë të pavarur, të mbyllen me kërkesë të tyre. 

Nga ana tjetër, Ligji i Arsimit të Lartë është në fazë përfundimtare dhe pritet të miratohet gjatë këtij viti. Ky ligj parashikon kritere më të ashpra për funksionimin e instituteve, por dhe universiteteve 

Brenda disa muajve në RMV janë mbyllur disa institucione arsimore dhe shkencore, ndërsa në shumë të tjera janë konstatuar parregullsi. 

Ndërkaq ministrja e Arsimit vazhdimisht ka përsëritur se ka gjasa të mbyllen shumë institucione të cilat nuk i plotësojnë kushtet. 

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimLigji për Arsim të LartëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Vesna Janevska