Ministria e Transformimit Digjital sot mbajti debatin e parë publik për Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2024-2028, në të cilën ministri Stefan Andonovski prezantoi vizionin për ndërtimin e një hapësire digjitale të sigurt dhe të besueshme në Republikën e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
Në debatin publik u prezantuan pesë shtyllat kryesore të Strategjisë: ndërtimi i kapaciteteve të forta kombëtare, siguria dhe qëndrueshmëria e subjekteve thelbësore, ndërtimi i një shoqërie rezistente ndaj kërcënimeve kibernetike, minimizimi i ndikimit të incidenteve, si dhe bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Siç e kemi komentuar disa herë, kjo strategji është një gur themeli në përpjekjet tona për të krijuar një hapësirë digjitale të sigurt dhe të besueshme në Republikën e Maqedonisë. Ne e zhvilluam procesin e zhvillimit të Strategjisë me nivelin më të lartë të gjithëpërfshirjes dhe transparencës, duke përfshirë të gjithë aktorët dhe duke u udhëhequr nga një përgjegjësi e dyfishtë – ndaj publikut tonë vendas dhe ndaj detyrimeve tona ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e pajtueshmërinë me Direktivën NIS 2”, theksoi ministri Andonovski në fjalimin e tij.
Strategjia parashikon krijimin e një Sektori të ri të Sigurisë Kibernetike brenda Ministrisë, i cili do të ketë disa funksione kyçe – të mbikëqyrë respektimin e standardeve të sigurisë, të krijojë dhe menaxhojë Qendrën Operative të Sigurisë së Qeverisë dhe të koordinojë me Ekipin e Qeverisë për Reagim të Sigurisë Kibernetike me incidentet e sigurisë.
“Vizioni ynë është i qartë dhe pa ekuivok – siguria kibernetike duhet të jetë prioritet kyç në transformimin digjital të Republikës së Maqedonisë. Strategjia 2024-2028 synon të krijojë një mjedis digjital të sigurt dhe të besueshëm përmes një reagimi të koordinuar kombëtar ndaj sfidave kibernetike”, theksoi ministri.
Për zbatimin me sukses të Strategjisë është krijuar një strukturë e qartë organizative ku Ministria e Transformimit Digjital do të jetë përgjegjëse për 76 detyra specifike, Ministria e Brendshme për 17 detyra, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria për 4 detyra dhe Ministria e Punëve të Jashtme për 5 detyra. Një rol të rëndësishëm do të luajnë edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, universitetet dhe subjektet e tjera thelbësore.
Strategjia parashikon krijimin e një qendre rajonale për trajtimin e kërcënimeve hibride, krijimin e një qendre kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve tanë në internet – MKSafeNet, si dhe zhvillimin e një platforme kombëtare gjithëpërfshirëse për edukim, në dispozicion për të gjithë qytetarët. Për të monitoruar zbatimin, Ministria do t’i dorëzojë Qeverisë raporte të detajuara gjashtëmujore dhe vjetore dhe do të kryhet një auditim i plotë vjetor përmes një grupi të posaçëm pune. Debati publik është një proces gjithëpërfshirës konsultimi me të gjitha palët e interesuara, me qëllim ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe efektive për sigurinë kibernetike në vend.
- LEXO: Andonovski: Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si: Qeveria e RMV-së, Agjencia për Komunikime Elektronike, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveria, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.
Maqedonia e Veriut pati dhe paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës.
Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.
Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.
Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.