Ministri i shkarkuar Ljutkov u bë koordinator kombëtar për kulturën

Ministri i shkarkuar i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, nuk u kthye si aktor në teatrin e dramës, por vazhdoi të angazhohet si koordinator kombëtar për kulturë në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së, raporton Nezavisen.

Ai u përfshi në rikonstruimin e Qeverisë, ndërsa postin e tij si ministër e mori Sedat Sulejmani, i cili më parë e ushtronte funksionin e zëvendësministrit.

Ish-ministri Ljutkov, ndërsa tani koordinator kombëtar, është në qendër të vëmendjes së opinionit publik pasi së fundmi shkaktoi reagime nga drejtuesit e Mbrëmjet Strugane të Poezisë (MSP) për shkak të deklaratave të tij lidhur me propozimet e supozuara për shfuqizimin e këtij institucioni kombëtar.

Lidhur me funksionin e ri të Ljutkovit, reaguan nga BDI-ja opozitare. Ata thonë semërimi i ish-ministrit Zoran Ljutkov për koordinator nacional për kulturë tregon sa peshë VLEN brenda Qeverisë.

“Pas rikonstruimit, Ministria e Kulturës iu dorëzua atyre, ndërsa sot drejtimi politik i këtij sektori iu kthye Ljutkovit nga një funksion i krijuar në Qeveri. s’Vlen-i mund ta mbajë postin e ministrit, të emërojë këshilltarë për kulturë me fakultet ekonomik dhe të merr ndonjë fond, por politikat, prioritetet dhe vendimet për kulturën vazhdon t’i kontrollojë VMRO”, thanë nga BDI.

BDIMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Zoran Ljutkov