Minçev: Tema e balancuesit është e kryer, pres që kolegët e VLEN-it të vijnë në vete dhe të lexojnë ligjet

Tema e balancuesit është e kryer, arkivuar dhe po zbatohet. Asgjë nuk bëhet me dashje apo provokim, por respektohen vetëm ligjet. Kështu deklaroi sot ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, pas reagimeve të koalicionit “VLEN”, se me vendimin e tij për rishikim të planeve vjetore të punësimit të institucioneve në sektorin publik, me të cilin urdhëroi respektimin e mënyrës së re të llogaritjes së balancuesit, ndërton një doktrinë antishqiptare, transmeton Portalb.mk.

Sipas Minçevit, ligji thotë qartë se mjeti balancues zbatohet ekskluzivisht për popullsinë rezidente që jeton në territorin e shtetit, sipas të dhënave të regjistrimit të fundit.

“Nuk ka asgjë të qëllimshme. Ose ligji do të respektohet ose nuk do të respektohet. Unë si ministër jam i detyruar të respektoj ligjin dhe do ta bëj për sa kohë të jem në këtë detyrë. Neni për llogaritjen në balancues thuhet rreptësisht se i referohet ekskluzivisht popullsisë rezidente në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht të gjithë banorët që jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jenë në llogaritjen e balancuesit”, tha ai.

Ai theksoi se nuk ka ndërmend të provokojë partnerin e koalicionit, aq më tepër që një nga parimet për të cilat është rënë dakord për koalicionin është pikërisht respektimi i ligjeve.

Lidhur me reagimet ndaj balancuesit nga ana e partnerëve të koalicionit në qeveri, Minçev tha se shpreson që kolegët e tij nga “VLEN” të vijnë në vete, tu kushtojnë më shumë vëmendje leximit të ligjeve ekzistuese dhe t’i përkushtohen zbatimit të këtyre ligjeve, dhe nuk do të merret me tema politike ditore.

“Angazhimi themelor i kësaj qeverie është që etniteti të mos jetë parim për punësim. Ka ardhur koha që në administratë të punësohen njerëz në bazë të njohurive dhe aftësive, për të pasur një administratë publike të fortë dhe efikase. Por ky është parimi i dytë dhe parimi i parë është që të kemi ligje cilësore, pikërisht këto që po diskutojmë sot, për të cilat është jashtëzakonisht e rëndësishme të jenë të zbatueshme, të jenë ligje sistematike. Nëse e arrijmë atë, atëherë mund të diskutojmë për fazën e dytë, pra administrim të mirë dhe cilësor të bazuar në njohuri dhe cilësi”, tha Minçev.

Nga 120 plane vjetore për punësim, Minçev i ktheu 115 për rishikim, për shkak të, siç tha, përqindjes së shkruar gabimisht të përkatësisë etnike, gjegjësisht mosrespektimin e mënyrës së re të llogaritjes së balancuesit.

Sipas mënyrës së re të llogaritjes së balancuesit, merret parasysh vetëm numri i popullsisë rezidente dhe jo popullsia jorezidente nga censusi i vitit 2021.

Koalicioni “VLEN”, i përbërë nga disa parti shqiptare, që është pjesë e qeverisë së bashku me VMRO-DPMNE dhe ZNAM, ditë më parë ka reaguar ashpër ndaj lëvizjes së  ministrit nga radhët e partisë së Maksim Dimitrievskit.

Nga atje ata akuzuan se kuadrot e ZNAM-it kanë një vlerësim të gabuar se identitetin e tyre politik do ta krijojnë mbi një doktrinë antishqiptare.

Ndaj vendimit të Minçevit ka reaguar edhe nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Naim Bajrami, i cili përmes një prononcimi në profilin e kësaj partie në Facebook u ka bërë thirrje partive shqiptare të largohen nga qeveria për shkak se sipas tij ndryshimi i përqindjes së përfaqësimit sipas balancuesit nënkupton realizimin e skenarëve për degradimin e shqiptarëve në vend.

Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Goran MinçevMinistria e Administratës Publike (MAP)VLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)