Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zbatimi i Planit të Rritjes Rajonale ishin temat e bisedës në drekën e sotme të punës që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zhvilloi me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Liderët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina udhëtuan në Bruksel për të mbajtur takim të nivelit të lartë me presidenten e KE-së.
“Sot prita liderët e gjashtë vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor. Të gjashtë shtetet e kanë vendin në Evropë. Kjo është ajo për të cilën ne po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me ekonomitë dhe tregjet tona me Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, u shpreh Von der Leyen në X.
Presidentja e KE-së ndau edhe video nga pritja, ndërsa në takim të pranishëm janë presidentët e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama; Kosovës, Albin Kurti; Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mockoski; Malit të Zi, Millojko Spajiq; si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo.
Komisioni Evropian bën me dije se aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e agjendave të reformave të paraqitura të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me Planin e Rritjes, të cilat i referohen aspekteve socio-ekonomike dhe fushës së të drejtave themelore.
“Kur të përfundojmë këto vlerësime, do të konsultohemi me shtetet anëtare të Komitetit të ardhshëm IPA dhe në rast të një vlerësimi pozitiv nga Komiteti IPA, do të miratojmë agjendat e reformës”, tha zëdhënësja e KE, Ana Pisonero, duke shtuar se pas kësaj, do të vijojë përgatitja për pagesën e kësteve të para të Instrumentit për Rritje dhe Reforma në Ballkanin Perëndimor.
Krahas drekës së punës me shefin e Komisionit Evropian, në agjendë të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili deri të premten do të jetë për vizitë pune në Bruksel, janë edhe takimet me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin Evropian për Zgjerimin Oliver Varhey, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) Gert Jan Kompan.
Kryeministrin shoqërohet në Bruksel nga ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ekonomisë, Timço Mucunski dhe Orhan Murtezani.
“Ky takim diplomatik i kryeministrit ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekzistues dhe është i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në takimet do të trajtohen një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal, rritjen e bashkëpunimit ekonomik, përafrimin e reformave me standardet evropiane, sundimin e ligjit dhe luftën e pakompromis të Qeverisë kundër korrupsionit dhe krimit”, njoftoi Qeveria pasditen e sotme.
Mickoski më herët në një deklaratë për media tha se nuk do të shkojë në Bruksel për të prezantuar planin për rritje, por siç tha ai, të paraqesë zhgënjimin e qytetarëve të Maqedonisë.
Kryeministri Mickoski ditë më parë përsëriti qëndrimin e tij se qeveria në Shkup është e gatshme të bisedojë me qeverinë bullgare për propozimin e saj për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në vend, por pasi Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së.
Më 18 gusht të vitit 2023, debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbaroi brenda pak orësh dhe votimi nuk ndodhi pasi që nuk kishte numra të mjaftueshëm të deputetëve që do të votonin për. Deputetët e VMRO DPMNE-së që atëherë ishte në opozitë votuan kundër.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese. Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.