Mickoski: Përfshirja e bullgarëve në kushtetutë nuk është kërkesa e tyre e vetme

Futja e bullgarëve në Kushtetutë nuk do të jetë kërkesa e vetme e fqinjit lindor në rrugën drejt BE-së, por ridefinimi i plotë i identitetit maqedonas, vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Dëshmi për këtë, sipas tij, është reagimi i fundit nga Bullgaria, në të cilin gjuha maqedonase u emërua si gjuhë e disponueshme për qytetarët dhe institucionet në vend, transmeton Portalb.mk.

“Mua kjo nuk më habit. Nuk e di nëse është befasi për dikë tjetër në shtet. Ata vetëm i konfirmojnë ato që kemi thënë që nga momenti i parë se nuk është kërkesa vetëm për bullgarët në Kushtetutë por ridefinim i plotë i identitetit maqedonas. Por këto janë ditë që duhet të na bashkojnë dhe mendojnë se më në fund si popull, pavarësisht a jemi në pushtet ose në opozitë, do të kuptojmë thjeshtë duhet të jemi bashkë”, tha Mickoski.

Kjo deklaratë vjen pas informacionit se Bullgaria ishte i vetmi shtet anëtar i BE-së që kishte vërejtje për Planin e Veprimit për të Drejtat e Pakicave, të dorëzuar nga Maqedonia në BE, për shkak se ishte shkruar në gjuhën maqedonase.

Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë. Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik. Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike. Këto ishin ngjarjet kryesore në 2025 në rrugën eurointegruese të RMV-së.

BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianMarrëveshja me Bullgarinë