Mickoski dhe Klekovski folën për rastin e Gostivarit dhe mundësinë për shpalljen e epidemisë

Në lidhje me problemet shëndetësore të qytetarëve të Gostivarit, që dyshohet se është prej ujit të pijshëm, për çka edhe është ndaluar përdorimi i saj për pije, ka folur kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i shëndetësisë, Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se shumë shpejt do të dalin informacion rreth asaj që ka ndodhur, kush dha urdhër që kjo të ndodhë dhe, natyrisht, do të ketë përgjegjësi”, deklaroi Mickoski, duke theksuar se tashmë autoritetet janë në teren në zbardhjen e rastit.

Ministri vlerësoi se akoma është herët të vendoset rreth shpalljes së epidemisë në qytetin e Gostivarit.

“Pacientët e parë erdhën natën e 13 korrikut dhe që atëherë ky numër ka qenë mjaft konstant. Mbi 200 qytetarë vijnë në spital çdo ditë për ndërhyrje. Në 24 orët e fundit, ka pasur 100 ndërhyrje të kërkuara në pediatri dhe 160 ndërhyrje të kërkuara në departamentin e sëmundjeve infektive”, tha Klekovski.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka theksuar se shqetësimet shëndetësore që janë regjistruar te banorët  e Gostivarit, nuk vijnë për shkak të ujit, edhe pse akoma presin rezultate tjera.

Pas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun dhe janë paraqitur në Spitalin e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm, për çka dje (17 korrik) e ka ndaluar përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është i ndotur dhe i pasigurt për konsum.

EpidemiGostivariHristijan Mickoski HristianMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiShëndetësi - ShëndetiUji - ujëValbon Limani