Në deponinë Krasta në Kumanovë janë vendosur kamera të reja për video-mbikëqyrje dhe gardhe mbrojtëse, ndërsa në periudhën e ardhshme është paralajmëruar vendosja e portave shtesë dhe ndriçimit, shkruan Portalb.mk.
Njoftimi është bërë nga kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili thotë se këto masa synojnë rritjen e sigurisë dhe parandalimin e hyrjeve të paautorizuara në deponi.
“Me këto aktivitete po ndërmarrim hapa konkretë për siguri më të madhe, parandalimin e dukurive të padëshiruara dhe hyrjeve të paautorizuara, si dhe për kontroll dhe mbrojtje më efikase të hapësirës. Vazhdojmë me aktivitete për një deponi më të sigurt, më të rregulluar dhe më mirë të kontrolluar”, ka shkruar Dimitrievski.
Ndryshe, dy javë më parë banorët e fshatit Pçinjë dhe të disa vendbanimeve përreth, përshkak zjarrëve dhe tymit të vazhdueshëm në këtë deponi,protestuan për disa ditë rreshtë pranë deponisë “Krasta” dhe nuk lejonin hyrjen e kamionëve dhe deponimin e mbeturinave komunale. Gjatë protestës së banorëve, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i vizitoi banorët dhe u kërkoi të lejojnë hyrjen e kamionëve dhe deponimin e mbeturinave komunale.
Stojan Stojkovski, përfaqësues i banorëve, tha se protestat nuk janë kundër grumbullimit të mbeturinave në Kumanovë, por kundër deponimit të tyre në një vend nga i cili tymi përhapet sërish drejt vendbanimeve.
“Qëndrimet tona janë të qarta. Nuk tërhiqemi nga bllokada derisa të shuhet zjarri në deponi. Konsiderojmë se është vepër penale të dërgohen mbeturina të reja në një deponi të përfshirë nga zjarri, e më pas ajo të lëshojë sërish tym drejt fshatit dhe të përsëritet e njëjta situatë. Për gjashtë muaj nuk u ndërmor asgjë, ndërsa pas paralajmërimit për bllokadë filluan të punojnë. Tani duan ta zgjidhin problemin menjëherë”, deklaroi Stojkovski.
Megjithatë, disa lagje të Kumanovës vazhdimisht përballen me mosgrumbullimin e mbeturinave nga ana e NP “Pastrim & Gjelbërim”. Kjo situatë po shndërrohet në një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe po rrezikon ambientin jetësor. Ndërkohë në Kumanovë janë shtrenjtuar edhe shërbimet e mbeturinave. Këshilli Komunal i Kumanovës ka miratuar rritjen për rreth 30% të çmimit të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.
- LEXO: Shtabi Komunal i Kumanovës kërkon zhbllokimin e “Krastës”, banorët e Pçinjës insistojnë në sanimin e plotë të deponisë
- LEXO: Fatura më të larta, shërbimi i njëjtë: Komuna e Kumanovës i rriti faturat e mbeturinave
- LEXO: Banorët e Kumanovës të shqetësuar, një javë që NP “Pastrim dhe Gjelbërim” s’ka mbledhur mbeturinat, rrezikohen fëmijët