LSDM-ja e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për vendim politik lidhur me migrantët

LSDM-ja e kontestoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë iniciativën kundër Rezolutës parlamentare për migracionin e paligjshëm, duke e lidhur miratimin e tij me deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikolloski për nevojën e dhjetëra mijëra punëtorëve të huaj. Partia shtron pyetjen nëse bëhet fjalë për ndikim politik mbi gjyqësorin, transmeton Portalb.mk.

Nga LSDM-ja theksojnë se Nikolloski kishte folur për nevojën e 50.000 punëtorëve të huaj në vit, ndërsa Mickoski në deklaratat e tij kishte përmendur shifrën prej mbi 100.000 personash nga vendet e treta si një zgjidhje të mundshme për mungesën e fuqisë punëtore.

Partia opozitare vë në pikëpyetje përputhjen kohore të këtyre deklaratave me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Dy ditë pas paralajmërimit të Nikolloskit dhe një ditë pas paralajmërimit të Mickoskit, shohim një vendim të Gjykatës Kushtetuese me të cilin hidhet poshtë iniciativa e LSDM-së”, thuhet në reagimin e partisë.

Gjykata Kushtetuese sot njëzëri e hodhi poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rezolutës për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe konfirmimin e politikave kundër migracionit të paligjshëm, të miratuar në Kuvend në dhjetor të vitit 2025.

Arsyetimi i gjykatësve është se Rezoluta përbën një akt politik deklarativ dhe jo një akt normativ që përmban norma juridike dhe prodhon pasoja të drejtpërdrejta juridike. Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se nuk ka bazë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e saj.

LSDM-ja më herët kishte pretenduar se Rezoluta është në kundërshtim me nenin 16 të Kushtetutës dhe se përbën përpjekje për kufizimin e lirisë së shprehjes së opozitës lidhur me çështjen e migracionit.

Edhe në reagimin e sotëm, partia akuzon se institucionet gjyqësore janë nën kontrollin politik të Mickoskit, duke iu referuar kritikave të mëparshme për gjendjen në sistemin gjyqësor.

Edhe pse LSDM-ja e thekson përputhjen kohore të ngjarjeve, shqyrtimi i lëndës ishte caktuar për seancën e sotme që më 8 tetor, para deklaratave të fundit të Mickoskit dhe Nikolloskit. Më herët, shqyrtimi i saj ishte shtyrë më 30 shtator për shkak të mungesës së gjyqtarit raportues.

Ndërkaq, çështja e importimit të fuqisë punëtore të huaj mbetet e hapur. Deklaratat për 50.000 dhe mbi 100.000 punëtorë u referohen vlerësimeve dhe nevojave të mundshme në të ardhmen, e jo një vendimi të konfirmuar për pranimin e një numri kaq të madh shtetasish të huaj.

Kryeministri, Hristijan Mickoski tha se ose do t’i drejtohemi vlerave familjare dhe familjeve të mëdha ose do të na duhet të importojmë punëtorë të huaj për të ruajtur ekonominë e Maqedonisë dhe rritjen në të ardhmen. Ai po komentonte deklaratën e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Transportit dhe Komunikacionit Aleksandar Nikoloski se vendi do të ketë nevojë për 50,000 punëtorë të huaj çdo vit deri në vitin 2030 për të ruajtur nivelin aktual të PBB-së.

Ndryshe, në Maqedoni po lindin gjithnjë e më pak fëmijë. Të dhënat e fundit demografike tregojnë se vitin e kaluar kanë lindur rreth 15.500 foshnje, që është pothuajse 30 përqind më pak se dhjetë vjet më parë.

Aleksandar NikollovskiEmigrim - Emigrantë - EmigracionGjykata Kushtetuese RMVHristijan Mickoski HristianLidhja Social Demokrate (LSDM)