Në librin “Identiteti kombëtar”, autori britanez Antoni Smith flet për 6 tiparet kryesore të identitetit të një kombi: emrin e përbashkët kolektiv, mitin mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesën e përbashkët historike, një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së përbashkët, lidhjen me një atdhe të caktuar dhe ndjenjën e solidaritetit dhe përbashkësisë së një pjese të rëndësishme të popullsisë.
Por, edhe pse nuk kemi probleme identitare, duhet të kujdesemi nga efektet e propagandave tendencioze të “intelektualëve” gjysmakë me format liliputësh, të gazetarëve me mungesë të dukshme të vetëdijes kombëtare, të politikanëve tenderokratë dhe hajdutë, të klerikëve që i kanë zët shenjat e etnisë dhe disa të tjerë, që për interese meskine, luajnë lojën e djallit, duke i shkaktuar dëme serioze qenësisë sonë. Të tillët, me vonesë prej qindra vitesh, përpiqen të ndryshojnë pikëpamjet e Rilindësve, që dhanë gjithçka për krijimin e njësisë së gjuhës, njësisë së kombit dhe shtetit shqiptar.
Për mjerim tonin, haxhiqamilët e sotëm pështyjnë më gërditshëm se kurrë vlerat sublime të kombit, duke njollosur identitetin tonë të mirënjohur botërisht dhe duke e zbritur atë në identitet të imponuar, në identitet zyrtar, në identitet gjysmak e hajt bir.
Të këtillë siç jemi aktualisht, bëjmë pjesë ndër racat më unikate të rruzullit tokësor, pa çka se brezat pararendës mbijetuan në stinë shumë më të liga dhe më të tmerrshme nën sundimet shekullore të perandorive të mëdha, kur s’e kishim as të drejtën e një shkronjeje të vetme në Gjuhën shqipe…
Shi për këtë, është turp që në këtë shekull t’na mashtrojnë kurkushët me përrallën se kombet e qytetëruara paskan hequr dorë nga mbrojtja e shenjave identitare. Kush nuk e di akoma se dallimi ndërmjet nesh dhe popujve të qytetëruar nuk qëndron gjetkë, pos në të dhënën se ata mbrojnë vetveten me mekanizma institucionalë, kurse ne me përjargje nëpër çajtore dhe salephane mesjetare.
Në mbyllje të kësaj kolumne po përmend vetëm disa të dhëna që flasin për mundësinë e humbjes së kush-jamit të shqiptarëve:
- Identiteti i shpifur i “gjuhës kosovarishte”, që në media grimcon prej vitesh standardin e shqipes me të folmet e krahinave të ndryshme të vendit, përfshirë edhe televizionet publike dhe shtetërore, si RTK-ja, që janë të thirrura të praktikojnë standardin aktual gjuhësor, gjersa albanologët nuk e ndryshojnë atë me ndonjë standard tjetër eventual.
- Tkurrja e qenies sonë në kombin, që u dashka të ketë vetëm përkatësi fetare; orientimi i vëmendjes së masave drejt “rrezikimit” të feve që praktokojnë shqiptarët, në një kohë kur më shumë se kurrë më parë rrezikohet Gjuha shqipe, vlerat kolektive shpirtërore dhe vetëdija e mirëfilltë qytetare për Atdhe dhe Fe.
- Hapja e pakontrolluar e kolegjeve të huaja, ku lëndët me aromë etnie, si: gjuha, muzika, historia, etnografia… kanë statusin e lëndëve minoritare, edhe përkundër të dhënës së nxënësit janë kryesisht shqiptarë.
- Emetimet në mediat elektronike, të filmave perversë përplot raporte incestoide, ku vëllai dashuron nusen e vëllait, ku dhëndrri heq shpirt pas gruas së kunatit apo motrës së gruas legjitime, ku hamshorët tip dilberësh dashurohen tinejxhershëm në gratë e miqve të tyre e marifete të ngjashme që rëndomësojnë lidhjet abnormale dashurore, duke i shndërruar ato në modele për fëmijët tanë të pafajshëm, të cilëve do të duhej t’u lëmë trashëgim vlera të bazuara në traditën e kodeve tona morale.
- Fyerjet publike të ndërsyera nga zuzarët shqipfolës kundër simboleve dhe personaliteteve të lavdishme të etnisë, për të cilët bijtë tanë më të devotshëm bënë mijëra vite burg të rëndë, për shkak të idealeve madhore, që sot përbalten nga qenie të ndyra, të cilët jetojnë si kokla në dhjam me taksat tona dhe ushqejnë masat e njerëzve me ligjërata çorientuese të karakterit thjesht politik, që ne do t’i kuptojmë post festum, siç i kuptojmë, fjala vjen, dëshmitë tronditëse të Ismail Strazimirit, i cili, në kujtimet e tij të botuara në librin: “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, hedh dritë mbi gjetobashomujët e rremë të politikës shqiptare të viteve 1912 – 1926, përkatësisht, mbi shitjet e interesave vitale kombëtare për honoraret meskine të armiqve shekullorë.
Bazuar në të sipërthënat, duhet ta pranojmë se jemi të rrezikuar, përkundër heshtjes sonë kokëfortë dhe mungesës së gatishmërisë për të mbrojtur gjuhën dhe trashëgiminë shpirtërore dhe materiale.
Fatmirësisht sot kemi disa institucione (universitete, institute…), që duhet të jenë në funksion të mbrojtjes së kësaj trashëgimie të veçantë kulturore, por, a do të mjaftojë kjo për t’ia dalë mbanë kësaj beteje në këtë devër globalizimesh dhe humbjesh të përditshme të identiteteve të etnive të dobëta, siç rezultojmë të jemi ne?
Vërtet: si do të mbijetojmë ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me këtë shkallë të lartë papunësie e paperspektive, me këtë ekzod masiv të të rinjëve tanë, me këtë infrastrukturë kulturore për gazep, me qytete pa kinema, pa teatro, pa revista letrare, pa aktivitete kontinuele kulturore, pa interesimin tonë serioz për përmirësimin e kësaj katrahure?
Janë këto çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente prej klasës politike e intelektuale shqiptare, nëse jeta dinamike e kohës sonë sotmes do të jetë e mëshirshme ndaj hapave tonë të kërmilltë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.