KE: Ndërhyrjet politike, mungesa e gjyqtarëve dhe buxheti i ulët e pengojnë drejtësinë në Maqedoninë e Veriut

Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka shënuar njëfarë përparimi, por vazhdon të përballet me ndërhyrje politike, mungesë të theksuar të kuadrit profesional dhe financim të pamjaftueshëm. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 vlerëson se vendi ndodhet në mes të një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar të përgatitjes në këtë fushë, ndërsa thekson se pavarësia dhe autonomia financiare e gjyqësorit mbeten të cenuara, raporton Portalb.mk.

“Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit duhet të përmirësohen si në gjykatat e shkallëve më të larta, ashtu edhe në gjykatat e shkallës së parë. Niveli i besimit të perceptuar në gjyqësor mbetet shumë i ulët. Ndërhyrjet e vazhdueshme të jashtme dhe politike mbeten një shqetësim serioz”, thuhet në raport.

Sipas raportit, ndërhyrjet e vazhdueshme nga degët e tjera të pushtetit dhe deklaratat e politikanëve të lartë për nevojën e “pastrimit” të gjyqësorit dhe prokurorisë përbëjnë ndikim dhe frikësim të papërshtatshëm ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni Evropian vlerëson se kritikat personale ndaj përfaqësuesve të drejtësisë nga nivelet më të larta të pushtetit cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

“Pavarësia e përgjithshme dhe autonomia financiare e gjyqësorit vazhdojnë të cenohen nga ndërhyrjet e degëve të tjera të pushtetit shtetëror dhe mungesa e theksuar e burimeve financiare dhe njerëzore. Rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht”, thuhet në raport.

Në nëntor 2025, Gjykata Supreme, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve reaguan bashkërisht ndaj kritikave publike të pabazuara nga nivelet më të larta të Qeverisë. Ata paralajmëruan se deklaratat e tilla cenojnë parimin demokratik të ndarjes së pushteteve dhe kërkuan respektimin e pavarësisë së gjyqësorit. Në prill 2026, edhe Këshilli Gjyqësor u bëri thirrje mediave të shmangin sulmet e pabazuara dhe raportimin sensacionalist për gjyqtarët.

Një tjetër problem serioz është mungesa e kuadrit profesional. Në gjykata janë plotësuar vetëm 38 përqind e vendeve të parashikuara të punës. Sipas raporteve vjetore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë për vitin 2025, nevojiten edhe 221 gjyqtarë dhe 67 prokurorë publikë. Mungesa e stafit ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e gjykatave dhe kontribuon në rritjen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.

“Mungesa e stafit në gjyqësor nuk është adresuar dhe vazhdon të ndikojë ndjeshëm në cilësinë dhe efikasitetin e tij. Në veçanti, mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë bashkëpunëtorët profesionalë, mbetet shqetësuese, pasi në gjykata janë plotësuar vetëm 38 përqind e vendeve të parashikuara të punës”, thuhet në raport.

Numri i gjykatësve dhe prokurorëve në RMV. Infografik: Portalb.mk

Situata është përkeqësuar edhe nga anulimi i konkursit të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë për pranimin e 130 kandidatëve, për shkak të mungesës së mjeteve në buxhetin e vitit 2026. Si pasojë, vendi nuk do të ketë kandidatë të rinj të disponueshëm deri në vitin 2028. Komisioni Evropian thekson se Akademia duhet të mbetet pika e vetme e hyrjes në gjyqësor dhe prokurori dhe se trajnimi fillestar nuk duhet të shkurtohet.

“Bordi Drejtues i Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë e anuloi procedurën më të madhe të deritanishme të pranimit, me 130 kandidatë, për shkak të mjeteve të pamjaftueshme të ndara në buxhetin shtetëror për vitin 2026. Kjo ka bërë që deri në vitin 2028 të mos ketë kandidatë të rinj në dispozicion. Në janar 2026, një grup kandidatësh të pakënaqur e kundërshtuan vendimin në Gjykatën Administrative, e cila e hodhi poshtë padinë. Akademia duhet të mbetet pika e vetme e hyrjes në gjyqësor dhe prokurori, ndërsa trajnimi fillestar nuk duhet të shkurtohet. Trajnimi gjyqësor duhet të mbrohet nga çdo kthim prapa i reformave”, thuhet në raport.

Problemet financiare janë një tjetër pengesë për pavarësinë dhe funksionimin e sistemit. Në vitin 2026, gjykatat kanë marrë vetëm 0,29 përqind të PBB-së, ndonëse niveli i përcaktuar me ligj është 0,8 përqind. Ndërkaq, Prokuroria Publike ka marrë 0,24 përqind të buxhetit shtetëror, në vend të 0,4 përqind sa parashihet me ligj. Raporti thekson se financimi i pamjaftueshëm e cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë.

“Ndarjet buxhetore për Prokurorinë Publike arrijnë në 0,24 përqind të buxhetit shtetëror, në vend të 0,4 përqind sa përcaktohet me ligj. Nevojiten burime të mjaftueshme financiare për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe për të siguruar autonominë e tij financiare”, thotë KE.

Edhe efikasiteti i gjykatave mbetet i kufizuar. Kohëzgjatja e procedurave është rritur pothuajse në të gjitha kategoritë e lëndëve, ndërsa shkalla e zgjidhjes së rasteve ka qenë nën 100 për qind në pothuajse të gjitha nivelet dhe kategoritë e gjykatave. Sistemi i menaxhimit të lëndëve gjyqësore, AKMIS, ka nevojë për përditësim dhe integrim të plotë me sistemet e tjera, ndërsa përgatitja e strategjisë së re për digjitalizimin e gjyqësorit është vonuar.

“Raportet vjetore të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë për vitin 2025 vlerësojnë se nevojiten 221 gjyqtarë të rinj dhe 67 prokurorë publikë. Edhe pse 35 gjyqtarë dhe prokurorë publikë kanë zgjedhur ta vazhdojnë shërbimin deri në moshën 67-vjeçare, duke e zbutur pjesërisht mungesën, numri i pamjaftueshëm i stafit vazhdon të ndikojë negativisht në efikasitet dhe kontribuon në rritjen e numrit të lëndëve të grumbulluara”, thuhet në raport.

Megjithatë, raporti evidenton edhe përparim në miratimin e legjislacionit. Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, i miratuar në dhjetor 2025 dhe i ndryshuar në qershor 2026, adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Janë miratuar gjithashtu ligje të reja për Këshillin e Prokurorëve Publikë, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për procedurën kontestimore.

Komisioni Evropian rekomandon përshpejtimin e zbatimit të Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024-2028, zbatimin e ligjeve të reja dhe plotësimin e vendeve të lira për gjyqtarë e prokurorë. Kërkohet gjithashtu financim i mjaftueshëm dhe funksionim i plotë i sistemit të automatizuar për menaxhimin e lëndëve gjyqësore.

Në pjesën për krimin e rëndë dhe të organizuar, raporti vlerëson se Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim të kufizuar. Vendi ka vazhduar përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe ka miratuar dy ligje të harmonizuara me legjislacionin e BE-së për armët dhe testimin e shënjimin e armëve të zjarrit. Megjithatë, kërkohet përmirësim i rezultateve në hetime, aktakuza dhe dënime, veçanërisht në rastet e pastrimit të parave dhe krimeve financiare, si dhe forcim i kapaciteteve për rikuperimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga krimi.

Në funksionimin e sistemit gjyqësor, KE kërkon që vendi:

  • Të përshpejtojë zbatimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore;

  • Të zbatojë ligjet e miratuara për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, si dhe të rishikojë në kohë Ligjin për Prokurorinë Publike, me qëllim forcimin e këtyre institucioneve. Kjo duhet të bëhet duke adresuar rekomandimet e pambyllura të misionit të vlerësimit të ndërsjellë të vitit 2023 dhe opinionet e Komisionit të Venedikut, si dhe duke miratuar aktet e nevojshme nënligjore;
  • Të plotësojë në mënyrë të vazhdueshme vendet e lira të punës për gjyqtarë, përfshirë përmes intensifikimit të zbatimit të strategjive për burimet njerëzore në gjyqësor dhe në shërbimin e prokurorisë publike, si dhe të sigurojë financim të mjaftueshëm dhe funksionim të plotë të Sistemit të Automatizuar për Menaxhimin e Lëndëve Gjyqësore.

Në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, KE i kërkon Maqedonisë:

  • Të vazhdojë përmirësimin e rezultateve në hetime, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, rastet e pastrimit të parave dhe krimet financiare, me fokus në rikuperimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale;

  • Të forcojë më tej kapacitetet dhe burimet e agjencive të zbatimit të ligjit që hetojnë krimin e organizuar dhe të rëndë, krimet financiare dhe pastrimin e parave, si dhe të Zyrës për Rikuperimin e Pasurisë dhe Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar;

  • Të harmonizojë legjislacionin për drogat narkotike dhe substancat psikotrope me legjislacionin e BE-së.

Lidhur me efikasitetin nevojiten mjete shtesë për:

  1. Përditësimin e Sistemit të Automatizuar për Menaxhimin e Lëndëve Gjyqësore (AKMIS), në përputhje me ndryshimet në ligjet procedurale;

  2. Futjen e masave të reja për trajtimin e rasteve komplekse;

  3. Arritjen e integrimit të plotë me sistemet e jashtme.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKomisioni Evropian (KE)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëReforma ne gjyqësor – drejtësi