Më pak barriera, më shumë investime, çfarë do të thotë Tregu i Përbashkët për Maqedoninë?

Tregu i Përbashkët i BE-së është hapësirë e përbashkët ekonomike në të cilën lehtësohet lëvizja e lirë e mallrave, sherbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Komisioni Evropian propozon që vendet kandidate gradualisht të marrin qasje në pjesë të këtij tregu edhe para anëtarësimit të plotë. Kjo do të thotë se kompanitë maqedonase dhe qytetarët do të mund t’i përdorin një pjesë të përfitimeve të tregut evropian, por me kusht që Maqedonia t’i përmbushë rregullat dhe standardet evropiane, shkruan Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Për Maqedoninë mundësia per të qenë pjesë e Tregut të Përbashkët Evropian, së bashku me tetë vende të tjera kandidate që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është lajm i mirë, vlerësojnë analistët vendas. Këtë iniciativë të BE-së, e cila interpretohet si ndryshim i politikës aktuale të zgjerimit, sektori profesional e përshëndet, pasi, siç theksojnë, BE-ja është tregu më i rëndësishëm i eksportit për kompanitë maqedonase dhe burim i investimeve.

Përfshirja graduale në Tregun e Brendshëm para anëtarësimit në BE do të nënkuptonte qasje në një pjesë të mundësive që sot në tërësi i kanë kompanitë e vendeve anëtare, thotë për Kolegium Stefan Ristovski, hulumtues në Institutin për Politikë Evropiane (EPI).

“Përfitimi ekonomik do të vinte para së gjithash përmes uljes së barrierave, qasjes më të lehtë te konsumatorët dhe zinxhirët evropianë të furnizimit, si dhe kushteve më të mira për tërheqjen e investimeve. Përfshirja e Maqedonisë në SEPA (zona e vetme për pagesa në euro), për shembull, i lehtëson dhe i bën më të lira pagesat drejt vendeve anëtare të SEPA-s”, thotë Ristovski.

Tregu i Përbashkët për vendet kandidate përshkruhet si “instrumenti më i fuqishëm i BE-së për nxitjen e prosperitetit dhe afrimit ekonomik me BE-në”, ndërsa për përfitimet e tij së fundmi foli edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Derisa përgatiteni për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne po hapim pjesë të tregut tonë të Përbashkët për kompanitë tuaja. Në të njëjtën kohë, ju po miratoni reformat kyçe që nevojiten që kompanitë tuaja të mund të konkurrojnë dhe të përparojnë në tregun tonë të vetem”, tha von der Leyen gjatë vizitës së saj të fundit në Shkup.

Këtë mundësi për vendin e vlerëson si lajm shumë të mirë Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Evropiane, Eurothink.

“Thelbi i idesë është që një pjesë të përfitimeve nga anëtarësimi të mos jetë e nevojshme t’i presim deri në ditën e vetë anëtarësimit në BE. Qasja graduale në Tregun e Përbashkët mund të nënkuptojë punë më të lehtë të kompanive maqedonase në tregun evropian, ulje të barrierave administrative dhe financiare, tërheqje më të madhe për investimet e huaja dhe qasje më të mirë në programet evropiane, teknologji dhe infrastrukturë”, shpjegon Nikollovski.

Ndryshe, Tregu i Përbashkët i BE-së është një sistem në të cilin lehtësohet lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve mes vendeve anëtare, sepse vendet zbatojnë rregulla dhe standarde të përbashkëta. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Turqia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina janë nëntë vendet kandidate që pritet t’i përdorin përfitimet e këtij tregu.

“Në anën tjetër, kyçja në Tregun e Brendshëm nënkupton harmonizimin dhe, më e rëndësishmja, zbatimin e qëndrueshëm të legjislacionit evropian në fushat përkatëse dhe politikat horizontale, siç janë konkurrenca dhe ndihma shtetërore, siguria e produkteve dhe mbrojtja e konsumatorëve. Kjo më së shpeshti nënkupton kosto për institucionet dhe sektorin privat. Gjykatat e pavarura gjithashtu janë një hallkë e rëndësishme për sigurinë juridike, për të cilën duhet të punojmë me përkushtim”, thotë Ristovski.

Qasja në treg, shton kolegu i tij Nikollovski, nënkupton edhe ekspozim ndaj një konkurrence shumë më të fortë.

“Kompanitë maqedonase do të duhet t’i përmbushin standardet evropiane për cilësinë, sigurinë, mjedisin jetësor dhe konkurrencën. Nëse ekonomia vendore nuk përgatitet paralelisht, mund të kemi qasje formale në një treg më të madh, pa pasur kapacitet të mjaftueshëm për t’i shfrytëzuar mundësitë e tij”, shpjegon Nikollovski.

Megjithatë, sa do të jenë përfitimet do të varet nga oferta konkrete e BE-së, përkatësisht cilët segmente të tregut të brendshëm dhe nën cilat kushte do të hapen për vendet kandidate para anëtarësimit. Deri më tani, qasja në këtë treg ishte e mundur vetëm pas anëtarësimit formal në BE. Megjithatë, që ky propozim të hyjë në fuqi, nevojitet konfirmim formal dhe unanim nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Qasja nuk do të jetë automatike dhe e njëjtë për të gjithë kandidatët

Ndryshe, qasja në Tregun e Përbashkët nuk është automatike, por eshtë qartë e lidhur me përparimin konkret të vendeve kandidate në procesin e reformave.

Ekspertët paralajmërojnë se ekziston edhe një rrezik politik të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje, dhe ai është se integrimi gradual nuk duhet të zëvendësohet me anëtarësimin. Ata thonë se për Maqedoninë qëllimi përfundimtar duhet të mbetet anëtarësimi i plotë, me pjesëmarrje në institucionet dhe në marrjen e vendimeve, pra nuk duhet të përfundojmë në një situatë ku i zbatojmë rregullat e Tregut të Përbashkët, por në mënyrë të përhershme nuk kemi të drejtë të marrim pjesë në krijimin e tyre.

Ndryshe, në draft dokumentin e BE-së, të cilin së fundmi e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se instrumentet ekzistuese do të zgjeroheshin gradualisht, në mënyrë proporcionale me nivelin e përgatitjes së secilit vend.

Dokumenti gjithashtu parashikon mekanizma për mbrojtje nga “prapakthimi” në reforma, që do të thotë se qasja, pasi të merret, nuk është domosdoshmërisht e përhershme. Megjithatë, nuk ka kritere të sakta, afate ose rrethana të përcaktuara qartë se në cilat raste qasja mund të pezullohet.

Çfarë do të thotë për Maqedoninë një vend në Tregun e Përbashkët?

Qasja në Tregun e Përbashkët është graduale dhe e kushtëzuar. Kjo do të nënkuptojë pagesa dhe transfere parash më të lehta përmes sistemeve evropiane të pagesave, qasje më të lehtë të kompanive maqedonase në tregun evropian, përfshirje më të lehtë në zinxhirët evropianë të furnizimit, lehtësim të tregtisë dhe procedurave doganore, si dhe hapje graduale të fushave të tjera si shërbimet, energjia, transporti dhe shërbimet digjitale.

Por, nga çfarë do të varet se sa pjesë e Tregut të Përbashkët do të jetë në dispozicion për Maqedoninë dhe cilat kushte do të duhet t’i përmbushim?

Nikollovski thotë se këtu duhet të vlejë parimi “më shumë reforma – më shumë integrim”, përkatësisht sa më shpejt që një vend i harmonizon ligjet, institucionet dhe praktikën me rregullat evropiane në një fushë të caktuar, aq më shumë mundësi për integrim duhet të marrë.

“Për Maqedoninë kjo do të thotë harmonizim me legjislacionin evropian, por edhe më e rëndësishme – aftësi për ta zbatuar realisht atë legjislacion. Nevojiten institucione rregullatore funksionale, sundimi i ligjit, treg konkurrues, administratë publike efikase, kontroll i ndihmës shtetërore, mjedis më i mirë afarist, digjitalizim dhe përmbushje e standardeve në energjetikë, mjedis dhe fusha të tjera që gradualisht do të hapen”, thotë Nikollovski.

Kujtojmë se, pas nesh tashmë është një proces i gjatë i harmonizimit me legjislacionin evropian, i përfunduar me skriningun dhe zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

“Nëse Maqedonia i përmbush kushtet teknike dhe të reformave për pjesëmarrje në një pjesë të caktuar të Tregut të Përbashkët, duhet të marrë qasje pa kushte shtesë politike ose dypalëshe. Përbashkët kështu integrimi gradual mund ta rikthejë kredibilitetin e procesit dhe t’u tregojë qytetarëve se reformat prodhojnë përfitime konkrete edhe para anëtarësimit”, përfundon Nikollovski.

Ndër të tjera, propozimet e reja të KE-së parashikojnë pjesëmarrje në programin Horizon Europe, programin kryesor të BE-së për financimin e kërkimit dhe inovacionit, si dhe në projekte të rëndësishme me interes të përbashkët evropian. Megjithatë, disa nga ofertat në këtë dokument tashmë janë në dispozicion për vendet potenciale anëtare. Kjo, ndër të tjera, i referohet zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA) dhe heqjes së tarifave të roamingut.

SEPA tashmë është në dispozicion për shumicën e vendeve kandidate. Maqedonia është një nga pesë vendet, së bashku me Shqipërinë, Moldavinë, Malin e Zi dhe Serbinë, që zyrtarisht iu bashkuan SEPA-s. Situatë e ngjashme është edhe me ofertën që lidhet me heqjen e tarifave të roamingut. Ukraina dhe Moldavia e përdorin këtë regjim që nga fillimi i këtij viti, ndërsa Komisioni Evropian planifikon ta zgjerojë heqjen e tarifave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vitin e ardhshëm.

Oferta për qasje në Tregun e Përbashkët, gjithashtu, bazohet në Marrëveshjen ekzistuese të Stabilizim-Asociimit, të cilën secili vend kandidat e ka me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje përbën kornizën ligjore për afrimin gradual të vendeve kandidate me Tregun e Përbashkët.

Edhe Plani i Rritjes është një mekanizëm përmes të cilit Maqedonia e Veriut merr një pjesë të përfitimeve ekonomike nga BE-ja para anëtarësimit formal, por në këmbim të reformave konkrete dhe harmonizimit gradual me rregullat evropiane. Plani i Rritjes ka katër shtylla – integrimin në Tregun e Përbashkët të BE-së, integrimin ekonomik rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe mbështetjen financiare për afrimin ekonomik. Shteti tashmë ka marrë 140 milionë euro nga ky program, ndërsa pagesa shtesë priten në javët e ardhshme.

Bashkimi Evropian (BE)Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiEurointegrime Negociata RMV-BEKomisioni Evropian (KE)Maqedonia e Veriut RMVUrsulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)