Filloi Akademia për aftësitë digjitale të administratës publike në RMV, do trajnohen mbi 160 nëpunës administrativë

Ministria e Transformimit Digjital, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka filluar Akademinë për aftësitë digjitale të administratës publike. Në kuadër të programit nëntëmujor, më shumë se 160 nëpunës administrativë do t’i avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre digjitale në fushat e programimit, rrjeteve dhe sigurisë, zhvillimit të softuerëve, testimit, përdorshmërisë dhe proceseve moderne digjitale, transmeton Portalb.mk.

Në fillimin zyrtar të Akademisë sot, para të pranishmëve foli ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili theksoi se qëllimi nuk është vetëm trajnimi i nëpunësve administrativë, por edhe krijimi i kuadrove që do ta udhëheqin transformimin digjital në institucionet e tyre.

“Këta nëpunës duhet të bëhen ambasadorë të projekteve kombëtare të TIK-ut në institucionet e tyre – nga uslugi.gov.mk dhe ndërveprueshmëria, deri te eDMS, Regjistri Qendror i Popullsisë, sistemet dhe regjistrat kryesorë që ndërtojnë shtetin digjital. Ata duhet të jenë njerëzit që do t’i kuptojnë sistemet, do t’i përdorin ato më mirë, do të ndihmojnë në përmirësimin e tyre dhe do ta përcjellin kulturën digjitale në institucione”, theksoi Andonovski.

Ministri theksoi se zgjidhjet e reja digjitale mund ta japin efektin e tyre të plotë vetëm nëse administrata ka njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për zbatimin e duhur dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

“Transformimi digjital nuk ndodh vetëm me sisteme të reja. Ai ndodh me njerëz që dinë se si t’i përdorin, zhvillojnë dhe përmirësojnë këto sisteme. Ne vazhdojmë të investojmë në dije, kapacitet dhe një administratë publike moderne”, porositi Andonovski.

Akademia do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve më të forta digjitale në institucione, përdorimin më të mirë të sistemeve kombëtare të informacionit dhe krijimin e një administrate publike më efikase, moderne dhe funksionale.

Bashkimi Evropian (BE)DigjitalizimMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Shërbime elektronike - digjitale shetëroreStefan Andonovski