Komisioni Evropian ka miratuar këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e mirëpriti vendimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se ky është një sinjal i rëndësishëm besimi dhe vlerësimi për agjendën reformuese të vendit, transmeton Portalb.mk.
“Integrimi evropian nuk është më vetëm aspiratë politike. Sot ai po shndërrohet në investime konkrete, mbështetje dhe mundësi reale për qytetarët tanë”, deklaroi ministri Sali.
Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu ka vënë sot në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë, 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Programit për Reformë dhe Rritje.
“Kjo vjen pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat e reformave të zbatuara në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut. Me publikimin e sotëm, shuma totale e lëshuar në kuadër të Instrumentit përkatës, sipas pakove të tyre përkatëse, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e KE-së.
Komisioni Evropian njofton se në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe masa për zgjerimin e qasjes në infrastrukturën digjitale dhe pajisjet IT në shkolla. Nga 65.7 milionë eurot e disbursuara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa e mbetur e mjeteve do të vihet në dispozicion për projekte investuese përmes WBIF-it.
“Mjetet e dedikuara për WBIF-in, pasi të miratohen nga bordi i WBIF-it, do të mbështesin projekte infrastrukturore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, digjitalizimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Projektet do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.