Më 17 nëntor në Shkup do të takohen ministrat e rajonit për të diskutuar Planin e Ballkanit Perëndimor

Ministria e Financave në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar që gjithë ministrat e financave dhe ekonomisë në rajon do të takohen në Shkup për të diskutuar për Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Më 17 nëntor, të gjithë ministrat e Financave, Ekonomisë dhe kryenegociatorët do të arrijnë në Shkup për të realizuar takim ministror nga rajoni për të negociuar rreth kushteve për Planin e Ballkanit Perëndimor”, njoftoi Ministria e Financave.

Në lidhje me këtë takim u takua ministri i Financave në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, dhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

“Kjo është dorë e shtrirë nga BE-ja drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, që duhet të shfrytëzohet për krijimin e kushteve të favorshme ekonomike për qytetarët dhe sektorin privat”, deklarojnë nga Ministria e Financave.

Brenda tre muajve do të duhet vendet e Ballkanit Perëndimor të përpilojnë agjendën e reformave.

“Përmirësimi i integrimit ekonomik në tregun e përbashkët do të bëhet nëpërmjet sigurimit të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, qasjes në Fushën e njësuar të pagesave, lehtësimin e transportit rrugor, integrimin në zinxhirët industrialë të furnizimit, integrimin dhe dekarbonizimin e tregjeve energjetike, si dhe tregut të përbashkët digjital”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.

Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)Dejvid Gir (David Geer)Ekonomia e shtetit - Lajme ekonomiFatmir BesimiMinistria e Financave (MF)Raporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë