Nga paragjykimet ndaj vajzave që zgjidhnin aktrimin, te skenat ku sot interpretojnë breza të rinj artistësh, Elhame Bilalli ka qenë dëshmitare e një prej periudhave më të rëndësishme të zhvillimit të teatrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kur e nisi karrierën, në teatër ishin vetëm pesë të punësuar. Ajo u bë e gjashta. Sot, pas një rrugëtimi me mbi 120 role, aktorja kujton emocionet e daljes së parë në skenë, duartrokitjet që nuk e linin të largohej, rolet që i kanë mbetur në zemër dhe takimin me shkrimtarin Ismail Kadare. Në një bisedë për Portalb.mk, Bilalli rrëfeu edhe sfidat e një kohe kur aktrimi nuk shihej me sy të mirë, veçanërisht për vajzat. Ajo flet me krenari për përparimin e teatrit dhe talentin e brezave të rinj, por nuk i fsheh shqetësimet për mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë me të cilat përballen sot artistët. Për të, teatri nuk është thjesht profesion, por një dashuri që nuk shuhet as pas dekadash.
Portalb.mk: Kur e kujtoni fillimin e karrierës suaj, si ishte bota e teatrit atëherë? Me çfarë paragjykimesh dhe vështirësish përballeshin vajzat që dëshironin të merreshin me aktrim?
Elhame Bilalli: Ka ndryshuar shumë. Kur kam ardhur unë, në teatër kanë qenë vetëm pesë persona të punësuar, ndërsa unë kam qenë e gjashta. Sot teatri është plot e përplot. Falë Zotit, kemi një rini shumë të mirë dhe shumë të talentuar.
Në atë kohë ka qenë pak më e vështirë, sepse ekzistonin paragjykime. Të merreshe me artin dhe aktrimin konsiderohej diçka e pamoralshme. Pra, nuk shihej me sy të mirë që një vajzë të merrej me aktrim. Ndërsa sot, nëna e regjistron vajzën në Akademinë e Arteve, e ndihmon dhe e shoqëron. Kjo tregon se koha ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë.
Portalb.mk: A e mbani mend daljen tuaj të parë në skenë? Çfarë emocionesh përjetuat dhe cili është kujtimi që ju ka mbetur më fort në kujtesë?
Elhame Bilalli: Për herë të parë në skenë kam dalë në shkurt të vitit 1968. U përfshiva në një shfaqje që ishte pjesë e repertorit të teatrit, ku luaja Zanën, rolin e një vajze të re.
Më kujtohet shumë mirë momenti kur, në fund të shfaqjes, erdhi koha për t’u përshëndetur me publikun. Kishte shumë duartrokitje dhe unë, nga emocionet, nuk dija si të largohesha nga skena. Vazhdoja të përshëndesja, derisa një aktore më e moshuar më tha: “Të tërhiqemi pak mbrapa, sepse ka edhe të tjerë për t’u përshëndetur.”
Këtë moment e kujtoj shpesh dhe ndonjëherë pyes veten se si veprova ashtu. Por besoj se gjithçka erdhi nga hutimi, emocionet dhe dëshira e madhe për të luajtur në skenë.
Kam edhe shumë kujtime të tjera të bukura, por do të na duhej shumë kohë për t’i rrëfyer të gjitha.
Portalb.mk: Fillimet e karrierës sjellin edhe momente të papritura. A ju ka ndodhur ndonjëherë të harroni tekstin gjatë shfaqjes?
Elhame Bilalli: Pas rolit të parë, kam luajtur edhe në shfaqjen “Çertifikata e kurorëzimit”, ku interpretoja një vajzë të re. Edhe nga ajo shfaqje më kujtohet një moment interesant. Gjatë interpretimit, harrova një replikë të tekstit.
Një kolege ma pëshpëriste replikën, por unë, nga hutimi, nuk e kuptoja se po ma thoshte mua. Mendoja se po ia kujtonte aktorit tjetër. Ata filluan të më thoshin: “Thuaje replikën!” Unë i pyeta: “Çfarë të them?” Më thanë se kolegia po ma jepte tekstin. Atëherë kuptova se replikën duhej ta thosha unë.
Janë kujtime që sot më bëjnë të buzëqesh, sepse në atë kohë emocionet ishin të mëdha dhe përvoja ime në skenë ishte ende e kufizuar.
Portalb.mk: Gjatë karrierës suaj keni interpretuar shumë personazhe. A e mbani mend sa role keni realizuar gjithsej?
Elhame Bilalli: Po, e mbaj mend. Kam pasur rreth 120 deri në 130 role, pa i numëruar edhe rolet më të vogla.
Portalb.mk: Mes gjithë këtyre roleve, cili ju ka mbetur më shumë në zemër? A ka ndonjë personazh që ju ka emocionuar veçanërisht?
Elhame Bilalli: Laura, e di si ndihem kur më pyesin se cilin rol kam dashur më shumë? Është njësoj sikur të të kërkojnë të zgjedhësh mes fëmijëve të tu, të thuash se këtë e dua më shumë e atë më pak. Për mua, të gjitha rolet janë të njëjta, sepse i kam dashur të gjitha.
Është si me lulet në kopsht. Mund të thuash se njëra është më e bukur se tjetra, por është shumë e vështirë t’i ndash rolet, zemër. Të gjitha i kam dashur.
Kam pasur edhe role me emocione shumë të mëdha, si roli i nënës te “Doruntina”, apo roli i Ikurës, të cilin nuk do ta harroj kurrë.
Portalb.mk: Sa e vështirë është të mësosh tekstin e një shfaqjeje dhe ta mbash mend gjatë interpretimit? Çfarë ju ka ndihmuar më shumë gjatë karrierës?
Elhame Bilalli: Edhe për këtë ka një mënyrë shumë të mirë. Unë i mësova shumë gjëra duke vëzhguar aktorët më të vjetër. Ata e përsërisnin dhe e përshkruanin rolin e tyre, ndërsa përmes këtij procesi teksti u ngulitej edhe më shumë në mendje.
Nëse një replikë apo një tekst e lexon shumë herë, sigurisht që do të të mbetet në kujtesë. Pastaj janë edhe provat me kolegët, puna me partnerët e skenës dhe përsëritjet e vazhdueshme, të cilat të ndihmojnë që teksti të bëhet pjesë e jotja dhe të mos e harrosh gjatë interpretimit.
Më kujtohet edhe një rast kur në teatër ishte i pranishëm shkrimtari Ismail Kadare. Më pyetën nëse doja të interpretoja diçka. Sigurisht që pranova. U thashë se e kisha ende shumë të freskët në mendje monologun e nënës së Doruntinës.
Bëhej fjalë për një monolog që e kisha mësuar me shumë vullnet dhe përkushtim. Regjisori që ma kishte besuar rolin ishte Pirro Mani. Në fillim, ai kishte pasur dyshime, sepse i dukesha shumë e re për atë rol. Por e gjithë trupa e teatrit, e cila ishte e pranishme, këmbënguli që unë ta interpretoja. Edhe një aktore më e moshuar, tashmë në pension, u shpreh me bindje: “Kjo mundet, kjo mundet!”
Dhe vërtet, e interpretova atë monolog. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, e kam shumë të freskët në kujtesë. Ishte një nga ato përvoja që mbeten përgjithmonë në shpirtin e një aktoreje.
Portalb.mk: Gjatë karrierës suaj keni interpretuar edhe jashtë vendit. Cilat udhëtime dhe bashkëpunime artistike ju kanë lënë mbresat më të veçanta?
Elhame Bilalli: Dua të theksoj se për herë të parë kemi qenë në Shqipëri në vitin 1972, pikërisht në kohën kur po hapej rruga e bashkëpunimit me Shqipërinë. Këtë përvojë nuk do ta harroj sa të jem gjallë, sepse më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme.
Kemi vizituar edhe vende të tjera, si Sarajeva, Zagrebi dhe Beogradi, pa përmendur Kosovën, ku kemi qenë në të gjitha qytetet. Megjithatë, vizita në Shqipëri më ka lënë mbresa shumë të veçanta. Ishte hera e parë që hapej kjo rrugë bashkëpunimi dhe komunikimi me teatrot shqiptare, një përvojë që për mua mbetet e paharrueshme.
Portalb.mk: Ju e keni përjetuar nga afër zhvillimin e teatrit ndër dekada. Çfarë ka ndryshuar më shumë nga koha kur nisët karrierën dhe ku mendoni se është bërë përparimi më i madh?
Elhame Bilalli: Unë mendoj se teatri ynë ka përparuar shumë. Janë hapur dyert e shumë teatrove dhe sot punohet në një nivel shumë më të lartë. Kemi kuadro të shkolluara, ndërsa në atë kohë nuk kishim akademi të artit siç kemi sot. Tani aktorët kanë përgatitje akademike dhe kjo është një arritje shumë, shumë e madhe për teatrin tonë.
Portalb.mk: Megjithatë, ju keni thënë se dikur, edhe me një trupë të vogël, realizoheshin më shumë shfaqje. Pse mendoni se sot është bërë më e vështirë të punohet në teatër?
Elhame Bilalli: Në atë kohë kemi punuar pak më shumë. Edhe pse kemi qenë një trupë e vogël, kemi realizuar gjashtë projekte. Kemi punuar si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët.
Ndërsa sot, ndoshta për shkak të financimit të pamjaftueshëm, gjithçka është më e vështirë për t’u realizuar. Mendoj se, në këtë aspekt, puna në teatër ka mbetur pak prapa.
Po të isha drejtoreshë apo ministre, do të ndaja shumë më tepër mjete financiare, në mënyrë që të punohej më shumë në teatër. Sepse teatri është qenësor, teatri është zemër. Në teatër mund të shohësh vetëm gjëra të mira, asgjë tjetër.
Portalb.mk: Sa kanë ndikuar reformat kulturore dhe vendimet institucionale në punën e aktorëve? A kanë sjellë ndryshime konkrete apo më shumë kanë mbetur në letër?
Elhame Bilalli: E the shumë mirë. Siç duket, më shumë kanë mbetur në letër sesa janë realizuar në praktikë. Megjithatë, ne vazhdojmë të shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë për mirë.
Portalb.mk: Çfarë i mungon më shumë teatrit sot? Mbështetja institucionale, kushtet e punës apo mundësitë për realizimin e shfaqjeve të reja?
Elhame Bilalli: Unë mendoj se na duhet më shumë publik dhe mbështetje institucionale. Falë Zotit, publik kemi mjaft, por mendoj se institucionet duhet të japin më shumë përkrahje financiare, në mënyrë që të realizohen më shumë shfaqje dhe aktorët të kenë më shumë mundësi për të punuar.
Siç e thashë edhe më parë, gjithçka kushton, madje shumë më tepër nga sa mendojmë. Qoftë garderoba, skenografia, angazhimi i një regjisori, një zëdhënësi apo kompozimi muzikor, të gjitha këto kërkojnë shpenzime. Prandaj, teatri ka nevojë për mbështetje të konsiderueshme nga institucionet, sepse realizimi i një shfaqjeje është një proces që kërkon shumë mund dhe mjete financiare.
Portalb.mk: Po në kohën kur ju ishit aktive në teatër, a kishte më shumë mbështetje financiare dhe institucionale për realizimin e shfaqjeve?
Elhame Bilalli: Po, kemi pasur. Kishim një buxhet të caktuar dhe, në përgjithësi, kërkesat që paraqiteshin për realizimin e shfaqjeve plotësoheshin. Mund të them se në atë kohë ishte shumë më e lehtë të realizoje një shfaqje, ndërsa sot gjithçka është bërë shumë më e vështirë dhe më e kushtueshme.
Portalb.mk: Kur e krahasoni skenën e dikurshme me atë të sotmen, çfarë ju bën më shumë krenare për rrugën që ka bërë teatri shqiptar dhe çfarë ju shqetëson për të ardhmen e tij?
Elhame Bilalli: Më bën krenare rruga që kemi bërë, sepse sot i kemi dyert e hapura në të gjithë botën. Kudo që të dëshirojmë të shkojmë, kemi mundësi të paraqitemi dhe të dëshmojmë se kemi vërtet cilësi artistike. Ajo që më brengos është se teatri duhet të përkrahet edhe më shumë nga institucionet dhe nga shoqëria, më shumë sesa është përkrahur deri më sot. Kjo është ajo që më shqetëson.
Portalb.mk: Pas gjithë këtyre viteve në skenë, çfarë do t’u thoshit të rinjve që ëndërrojnë të bëhen aktorë, por ndoshta hezitojnë ta zgjedhin këtë profesion?
Elhame Bilalli: Të rinjtë që e duan artin, le ta zgjedhin atë profesion. Nuk është gabim. Përkundrazi, do ta gjejnë veten në të, do ta ushqejnë shpirtin dhe do të ndihen të përmbushur.
Unë, për vete, kur vendosa të vija këtu, nuk i kisha mbushur ende nëntëmbëdhjetë vjeç. E lashë familjen time atje, nënën, babanë, vëllezërit, motrat, të gjithë, dhe erdha në Shkup, sepse e doja këtë profesion. E dua edhe sot. Edhe sot nuk lë premierë pa parë. Nuk lë asnjë shfaqje që vihet në teatrin tonë pa e parë. Nuk ka shans, nuk ka mundësi!
Njeriu duhet ta ndjekë dëshirën e vet. Nëse e ndjek me vullnet dhe përkushtim, mund t’ia dalë mbanë. Prandaj, u bëj thirrje të rinjve që të angazhohen sa më shumë në teatër, sepse aty do të gjejnë ushqim shpirtëror. Përmes artit, ata mund të japin edhe kontributin e tyre për shoqërinë dhe për të gjithë njerëzit.
Portalb.mk: Për fund, a ka ndonjë kujtim personal nga skena që ju emocionon edhe sot, sa herë që e sillni ndër mend?
Elhame Bilalli: Për herë të parë, nëna ime kishte ardhur në teatër për të më parë. Atë natë unë luaja rolin e Ikurës. Ajo u ul në rreshtin e parë dhe më ndiqte gjatë shfaqjes. Kur erdhi një skenë e veçantë, i thashë: “Oh, nënë, nuk mundem më, zemra do të më pëlcasë!” Edhe nëna, në atë moment, filloi të qante.
Kam përjetuar emocione të mëdha në shumë prej roleve të mia, zemër. Mund t’i numëroj, por në këtë moment nuk më kujtohen të gjitha.