Më shumë se 200 vizitorë morën pjesë mbrëmë, më 1 nëntor, në hapjen e ekspozitës “Pjesë” të Marko Ugarkoviqit në Qendrën Kulturore “Jadro” në Shkup. Interesimi i madh për ekspozitën tejkaloi kapacitetet e hapësirës ekspozuese, e cila ishte shumë e vogël për t’i pritur të gjithë artdashësit që erdhën për të parë ekspozitën e dytë personale të autorit, transmeton Portalb.mk.
Të pranishmit shkëmbyen përshtypje pozitive për fotografitë, por edhe për mënyrën e veçantë të ekspozimit të tyre, e cila thekson më tej veçantinë vizuale dhe konceptuale të ekspozitës. Fotografitë janë realizuar me shtypje në letër 100 përqind pambuku, me përmasa 135 × 90 centimetra dhe të vendosura mbi bazë alumini. Kjo mënyrë ekspozimi krijon një përjetim të fuqishëm vizual dhe nxjerr në pah detajet, teksturat dhe veçantinë e secilit kuadër fotografik.
Në ekspozitën “Pjesë”, Ugarkoviqi e drejton objektivin e tij drejt botës së baletit, duke eksploruar kufirin mes elegancës së lëvizjes dhe përpjekjes fizike që qëndron pas saj. Përmes kompozimeve të ndërtuara me kujdes, fotografitë veçojnë fragmente të trupit, lëvizjes dhe momenteve skenike, duke zbuluar anën e padukshme të artit të baletit: disiplinën, forcën, kontrollin dhe përkushtimin e nevojshëm për të krijuar iluzionin e lehtësisë.
Marko Ugarkoviqi është regjisor i diplomuar i filmit dhe fotograf i njohur maqedonas i koncerteve, i cili përmes fotografisë zhvillon një gjuhë të veçantë vizuale, duke eksploruar marrëdhëniet mes dritës, hapësirës dhe trupit.
Ekspozita “Pjesë” mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe do të qëndrojë e hapur në Qendrën Kulturore “Jadro” deri më 7 nëntor.