Importi nga Serbia në Maqedoninë e Veriut është pothuajse pesë herë më i lartë se eksporti ynë në tregun serb. Serbia bën pjesë në grupin e pesë partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Investimet nga Serbia në vend kanë shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025, krahasuar me vitet paraprake. Pas ndryshimeve politike në Serbi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pret vazhdimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Mbi 33 milionë euro investime nga Serbia në Maqedoninë e Veriut
Nga sektori i telekomunikacionit dhe medias deri te sektori bankar dhe bizneset prodhuese, kapitali serb është i pranishëm në pothuajse të gjithë sektorët ekonomikë të vendit. Të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të RMV-së për investimet nga Serbia në Maqedoninë e Veriut tregojnë një trend interesant të rritjes së ndjeshme të investimeve në nivel vjetor.
Analiza krahasuese e Portalb.mk bazuar në të dhënat e Bankës Popullore, tregon se në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, investimet nga Serbia në Maqedoninë e Veriut ishin për më shumë se 11 herë më të larta. Konkretisht, në vitin 2025, vlera e investimeve nga Serbia në vend tejkaloi 33.110.000 euro, ndërsa vlera e investimeve në vitin 2024 ishte 2.890.000 euro.
Gjatë Forumit të Biznesit “Serbia – Maqedonia e Veriut”, i cili u mbajt së fundmi në Shkup, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit serb i theksuan sektorët kryesorë në të cilët janë të pranishme investimet serbe.
“Investimet serbe në Maqedoninë e Veriut kanë tejkaluar 1,5 miliardë euro, nga ‘Mtel’, ‘Ananas’, ‘Nektar’, ‘Imlek’, ‘Comtrade’, ‘Vino Zhupa’, kantina e verës ‘Çoka’, deri te investimet në sektorin bankar, siç është blerja e “Stopanska Banka Bitolla” nga banka jonë ‘Alta Banka’. Në të njëjtën kohë, në Serbi operojnë më shumë se 1.000 kompani, pronarët e të cilave janë nga Maqedonia e Veriut, me prani të shtuar në tregtinë me pakicë dhe në sektorin e patundshmërive”, deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh.
Vëmendje më të madhe në opinionin publik vendas shkaktoi hyrja e kapitalit serb në sektorin financiar dhe të sigurimeve në vend. Banka serbe ALTA Banka Sh.A. Beograd bleu ALTA Banka Sh.A. Manastir. I njëjti grup serb tashmë është edhe pronar shumicë i kompanisë së sigurimeve ZOIL Maqedoni – Sh.A. Manastir. Ky operacion financiar është kritikuar disa herë nga LSDM-ja opozitare, me pretendimet se në strukturën dhe organet drejtuese të lidhura me ALTA Bankën në Maqedoni ka persona të afërt me strukturat në pushtet në vend. Nga LSDM-ja akuzuan se pas ndryshimeve politike në Serbi ka nisur një operacion për transferimin e parave në Maqedoni.
“Prokuroria Publike dhe Banka Popullore duhet të nisin urgjentisht hetime për informacionet se banka serbe ‘Alta Banka’ po transferon mjete të mëdha financiare në llogari në Maqedoni”, deklaruan nga LSDM-ja.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që marrëdhëniet e mira fqinjësore me Serbinë të vazhdojnë, ndërsa akuzat e bllokut opozitar i vlerësoi si fushatë me konstruksione dhe gënjeshtra.
“Pres që marrëdhëniet tona të mira fqinjësore të vazhdojnë dhe që, si fqinjë të mirë, të punojmë për rritjen e ekonomive tona në të dyja vendet”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë janë intensifikuar gjatë viteve të fundit. Qeveria paralajmëroi disa projekte strategjike investuese me vendin fqinj. Në gusht të këtij viti, të dyja palët nënshkruan marrëveshje për Gazsjellësin ndërlidhës, ndërtimi i të cilit duhet të përfundojë më së voni deri në fund të vitit 2028. Një tjetër mega-projekt i rëndësishëm, me vlerë prej 2 miliardë eurosh, është ndërtimi i hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10. Ndërmjet dy vendeve tashmë janë nënshkruar marrëveshje dhe protokolle për bashkëpunim dhe ndërlidhje të përbashkët ekonomike në prag të panairit botëror EXPO 2027, “EXPO 2027” i cili duhet të mbahet në Beograd.
Me një shkëmbim të përgjithshëm tregtar prej mbi 1.210.000.000 eurosh, Serbia fqinje bën pjesë në grupin e pesë partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Tregu gjeografikisht i afërt, i cili kufizohet me vende anëtare të BE-së, për kompanitë maqedonase nënkupton mundësi eksporti në vlerë prej gati gjysmë miliardi eurosh.
Të dhënat e statistikave shtetërore tregojnë se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut eksportoi në Serbi mallra, shërbime dhe produkte në vlerë prej 457.872.000 eurosh, me rritje të eksportit prej 2,2% krahasuar me vitin 2024. Nga ana tjetër, gjatë së njëjtës periudhë, nga Serbia në Maqedoninë e Veriut u regjistrua import në vlerë prej 752.686.000 eurosh, me rritje vjetore prej 10,6%.