Futja e avionit të 7-të në bazën e Wizz Air në Shkup është një arritje e madhe në zhvillimin e transportit ajror në Maqedoni. Tashmë kemi mbi 2 milionë pasagjerë në gjashtë muajt e parë, shumë destinacione të reja dhe këtë vizion do të vazhdojmë ta zhvillojmë së bashku, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në promovimin e avionit të ri të 7-të të Wizz Air në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është baza e tretë më e madhe që Wizz Air ka në përgjithësi dhe shpresoj që shumë shpejt Aeroporti i Shkupit të arrijë edhe vendin e dytë për nga numri i avionëve të vendosur në aeroport. Kjo është një arritje e madhe, diçka me të cilën nuk mund të mburren as shumë kompani ajrore kombëtare dhe për këtë arsye shpesh them se Wizz Air praktikisht është bërë transportuesi ajror kombëtar i Maqedonisë. Shifrat e tregojnë këtë, destinacionet e tregojnë këtë. Këto suksese nuk janë të rastësishme dhe janë rezultat i punës së përbashkët”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se vetëm kompania Wizz Air, vitin e kaluar ka transportuar 1.700.000 pasagjerë, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka transportuar 1.200.000 pasagjerë, gjë që sipas tij tregon qartë rritjen e kompanisë.
“Në gjashtë muajt e parë, të dy aeroportet, ai i Ohrit dhe i Shkupit, kanë mbi 2 milionë pasagjerë. Shpresoj që kjo shifër të vazhdojë të rritet edhe në pjesën e dytë të vitit. Nëse para disa vitesh luftonim për 2 milionë pasagjerë në vit, tani mendoj se ajo që dukej e pamundur – 4 milionë pasagjerë në vit – është diçka që realisht mund të arrihet”, deklaroi ministri.
Nikolloski shtoi se janë hapur shumë destinacione dhe linja të reja ajrore. Vetëm këtë javë janë hapur dy linja të reja drejt Algheros (Itali, Sardenjë) dhe Palermos (Itali, Sicili), ndërsa po diskutohen edhe linja të reja ajrore nga Wroclaw dhe Katowice drejt Ohrit.
“Do të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe të përparojmë së bashku. Kjo është një histori e shkëlqyer të cilën së bashku me TAV Maqedoni dhe Wizz Air do të vazhdojmë ta zhvillojmë”, deklaroi Nikolloski.