Kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski, dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, morën pjesë sot në një aktivitet të organizuar me rastin e furnizimit me 100 automjete të reja të ambulancës, të pajisura plotësisht, për Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, të destinuara për nevojat e institucioneve publike shëndetësore në mbarë vendin, transmeton Portalb.mk.
“Sigurimi i 100 automjeteve të reja për Ndihmën e Shpejtë, të cilat plotësojnë flotën ekzistuese dhe zëvendësojnë automjetet e amortizuara, përbën një investim të rëndësishëm në vlerë prej 460 milionë denarësh. Çdo automjet është i pajisur me pajisje mjekësore bashkëkohore dhe të kompletuara, të nevojshme për ndërhyrjen mjekësore, stabilizimin dhe transportin e pacientëve”, theksoi ministri Klekovski gjatë aktivitetit.
Ai shtoi se rinovimi i flotës së automjeteve do të vazhdojë dhe se plani është që flota e Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të rritet nga 140 automjete, sa ka aktualisht, në 200 automjete.
“Tashmë kemi nisur bisedimet për prokurimin e 50 automjeteve të tjera të reja në vitin 2027. Paralelisht, vijojmë të monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme nevojat për personel dhe pikat kritike në rrjetin e Ndihmës së Shpejtë, në mënyrë që burimet të orientohen aty ku janë më të nevojshme”, deklaroi Klekovski.
Ministri njoftoi gjithashtu një paketë reformash që synojnë riorganizimin e Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore mbi baza të reja:
- Ndihma e Shpejtë Mjekësore si institucion më vete – është në vijim procesi i transformimit të Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në një shërbim të veçantë, të ndarë nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup.
- Futja e paramedikëve në ekipet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
- Vendosja e një sistemi kombëtar të triazhimit, i cili do të sigurojë standardizimin e procedurave për trajtimin e thirrjeve dhe realizimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin e vendit.
- Krijimi i një qendre kombëtare dispeçerike, me tregues kyç të performancës (KPI) të përcaktuar, të cilët do të mundësojnë monitorimin e matshëm dhe transparent të punës së shërbimit.
Klekovski përshëndeti themelimin e Shoqatës Maqedonase për Mjekësi Urgjente vitin e kaluar dhe theksoi mbështetjen e Shoqatës Evropiane për Mjekësi Urgjente për zbatimin e reformave.
Automjetet janë të pajisura me defibrilator/monitor të avancuar, me funksion të stimulimit kardiak (pejsing) dhe monitorimit, pajisje për furnizimin me oksigjen dhe mbështetjen respiratore për të rritur, fëmijë dhe të porsalindur, barelë automatike, sistem hidraulik për reduktimin e dridhjeve gjatë transportit, sistem të integruar për dezinfektim me ozon, si dhe sisteme bashkëkohore për sigurinë aktive të automjetit.
Hapësira mjekësore është përshtatur plotësisht për punën e ekipeve të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, si dhe për transportin dhe trajtimin e pacientëve. Ajo është e pajisur me sistem të pavarur ngrohjeje dhe klimatizimi, sistem ventilimi, ndriçim LED të orientuar drejt pacientit, hapësira të posaçme për vendosjen e pajisjeve mjekësore, si dhe tri ulëse për personelin mjekësor dhe personat shoqërues.
Automjetet mundësojnë kryerjen e elektrokardiogramës (EKG), monitorimin e segmenteve ST dhe intervalit QT, si dhe monitorimin e pulsit dhe matjen jo invazive të tensionit arterial.