Maqedonia do të marrë pjesë në konkursin që vitin e ardhshëm do të mbahet në Burgas të Bullgarisë. RTM, transmetuesi kombëtar i Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar se vendi do të marrë pjesë në Festivalin e ardhshëm Evropian të Këngës, Eurovizion 2027, në Burgas të Bullgarisë dhe i bashkohet listës së vendeve që deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovizion 2027, transmeton Portalb.mk.
Delegacioni nga Maqedonia do të drejtohet nga Jana Burçeska dhe Aleksandra Jovanovska.
Maqedonia për herë të fundit konkurroi në Torino në vitin 2022, kur Andrea e interpretoi këngën “Circles”. Deri më tani, vendi ka marrë pjesë në gjithsej 21 edicione. Përfaqësuesi i parë në Birmingham në vitin 1998 ishte Vlado Janevski, i cili, pasi fitoi në “Skopje Fest”, mori pjesë me këngën “Ne zori, zoro”. Në nëntë netët finale në të cilat ka marrë pjesë, Maqedonia gjithmonë është renditur në mesin e 20 vendeve më të mira, ndërsa në dhjetëshen e parë u rendit Tamara Todevska në Tel Aviv në vitin 2019, me këngën “Proud”.
Vendin në Eurovizion e kanë përfaqësuar edhe Karolina në vitet 2002 dhe 2007, Toshe Proeski në vitin 2004, Kaliopi në vitin 2012, grupi i vajzave XXL në vitin 2000 dhe Elena Risteska në vitin 2006.