LSDM akuzoi sot Qeverinë se ka lënë pa terapi pacientët që vuajnë nga astma dhe sëmundja kronike obstruktive e mushkërive (SKOM), duke pretenduar se Fondi i Sigurimit Shëndetësor fillimisht e ka rritur çmimin e barit “Foster” nga 300 në 1.080 denarë, ndërsa zëvendësuesi gjenerik i premtuar nuk gjendet në farmacitë e vendit, transmeton Portalb.mk.
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se shumë pacientë nuk kanë mundësi të përballojnë rritjen e çmimit të terapisë dhe se mungesa e barit rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e personave me sëmundje kronike të mushkërive.
“Në këtë varfëri në të cilën VMRO-ja i ka sjellë qytetarët, shumë pacientë thjesht nuk kanë mundësi të ndajnë edhe 780 denarë shtesë për terapinë pa të cilën nuk mund të jetojnë normalisht. Fondi u premtoi pacientëve ilaç gjenerik falas si zëvendësim për ilaçin ‘Foster’. Tani, sipas informacioneve që kanë arritur deri tek ne, as ai ilaç gjenerik, i cili me recetë është falas, ende nuk gjendet në farmaci. Kjo është një lojë e turpshme me shëndetin e pacientëve kronikë, shëndeti i të cilëve varet nga ky ilaç. Kemi kaos total, mungesë kujdesi dhe papërgjegjësi. Ky nuk është ilaç që mund të presë. Për pacientët me astmë dhe sëmundje kronike obstruktive të mushkërive, kjo është terapi e përditshme, pa të cilën sëmundja mund të përkeqësohet seriozisht. Këta pacientë varen nga terapia e rregullt dhe çdo ndërprerje e saj mund ta përkeqësojë rëndë gjendjen e tyre shëndetësore. Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë?”, pyeti Kuzeska.
Ajo shtoi se kjo nuk është hera e parë që qytetarët mbeten pa terapinë e domosdoshme.
“Vitin e kaluar pacientët onkologjikë mbetën pa terapinë biologjike. Më ironikja është se njeriun që krijoi kaos në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, Mickoski e shpërbleu me post ministri, pikërisht në sektorin e shëndetësisë. Pas dy vitesh të VMRO-së në pushtet, po ndodh shpërbërja e sistemit shëndetësor, i cili nuk është në gjendje të mbrojë atë që është më e vlefshme – shëndetin e qytetarëve. Në vend të një sistemi funksional shëndetësor, kemi një sistem ku pacientët çdo ditë frikësohen nëse do ta marrin terapinë që u ruan shëndetin. LSDM kërkon përgjegjësi dhe marrjen e masave urgjente për të siguruar qasje të pandërprerë në terapi për të gjithë pacientët. Shëndeti nuk guxon të jetë viktimë e kësaj qeverie shpërdoruese, e cila e ka zbrazur buxhetin për luksin dhe tenderët e saj, ndërsa tani çmimin po e paguajnë qytetarët. Ndaloni së luajturi me shëndetin e njerëzve. Qytetarët meritojnë një sistem shëndetësor që kujdeset për ta, e jo një pushtet që ua vështirëson çdo ditë e më shumë trajtimin dhe ua rrezikon jetën”, deklaroi Kuzeska.
Pas këtyre akuzave reagoi Ministria e Shëndetësisë, e cila njoftoi se është informuar nga kompania që mban autorizimin për vendosjen në qarkullim të barit “Foster”, se ilaçi shumë shpejt do të jetë sërish në dispozicion të pacientëve pa pagesë shtesë.
“Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga kompania që është bartëse e autorizimit për vendosjen në qarkullim të barit FOSTER, i cili gjendet në Listën Pozitive të Barnave, se ky bar shumë shpejt do të jetë sërish në dispozicion të pacientëve pa pagesë shtesë. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë edhe më tej të ndërmarrë aktivitete me qëllim të mundësimit të qasjes më të madhe në barna me çmime më të përballueshme për qytetarët”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Kujtojmë se çmimi i pompës për inhalim „Foster“, të cilën e përdorin pacientët me astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK), u rrit nga 300 në 1.081 denarë në farmacitë e Maqedonisë së Veriut.
Çmimet e reja i publikoi Fondi i Sigurimit Shëndetësor më 18 qershor. Në pyetjen se pse pacientët për „Foster“ në farmaci paguajnë 1.081 denarë në vend të 300 denarëve të deritanishëm, nga Fondi për „Slloboden Peçat“ thanë se formimi dhe miratimi i çmimeve të ilaçeve është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse vetë Fondi është përgjegjës për formimin e çmimeve referente.