Amendamenti i opozitës, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), për rritjen e subvencionit të ushqimit për studentët nga 140 në 200 denarë në ditë, nuk mori mbështetje në Kuvend. Propozimi ishte një nga gjithsej 124 amendamentet e paraqitura nga opozita për ribalancin e dytë të Buxhetit për këtë vit, prej të cilave shumica parlamentare në pushtet nuk pranoi asnjërin, transmeton Portalb.mk.
Me amendamentin kërkoheshin 200 milionë denarë shtesë (rreth 3,25 milionë euro) për rritjen e subvencionit ditor për ushqimin e studentëve për 60 denarë.
Propozimi u arsyetua me rritjen e çmimeve të ushqimeve, inflacionin dhe shpenzimet gjithnjë e më të larta të jetesës, për shkak të të cilave 140 denarët aktualë nuk janë të mjaftueshëm për mbulimin e nevojave themelore të studentëve.
Organizatat studentore prej muajsh kërkojnë rritjen e këtij kompensimi, përkatësisht përshtatjen e tij me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe shpenzimet reale të jetesës.
Nga LSDM-ja më herët kishin kërkuar që përmes ribalancit të sigurohen mjete edhe për rritjen e pagës minimale në 36.000 denarë, si dhe për rritjen e subvencionit për ushqimin e studentëve, me arsyetimin se rritja e kostos së jetesës po e ul edhe më tej standardin e qytetarëve.
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) dorëzoi padi në Gjykatën Administrative kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për shkak të, siç thonë, ministria nuk e ka zbatuar detyrimin ligjor për harmonizimin e shumës së shujtës studentore me normën vjetore të inflacionit.
Ndërkohë, shujta studentore ka qenë temë diskutimi edhe gjatë muajve të fundit. Studentët kanë kërkuar që shuma ditore të rritet nga 140 në 200 denarë, ndërsa Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë elektronikë në vlerë prej 4.500 denarësh në muaj. Për këtë propozim janë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit studentorë, por zgjidhja ende duhet të rregullohet përmes ndryshimeve ligjore.