Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit ngeci në Kuvend, deputetët kërkojnë mendime nga ekspertët vendorë

Propozim-ligji për mbrojtjen nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme ende ndodhet në lexim të dytë në Komisionin për Shëndetësi në Kuvend. Për këtë propozim-ligj janë dorëzuar tetë amendamente, transmeton Portalb.mk.

“Përveç mendimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një grup deputetësh kanë kërkuar mendime shtesë për ligjin nga ekspertë vendorë, si dhe mendim nga bizneset që merren me prodhimin e produkteve të duhanit. Sapo të mbërrijnë mendimet e kërkuara, komisioni do ta vazhdojë procedurën”, thanë për SDK nga Kuvendi.

Ministria e Shëndetësisë në janar publikoi Propozim-ligjin e ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit, me të cilin parashikohen kufizime drastike për përdorimin e duhanit, produkteve të nikotinës dhe pajisjeve për konsumimin e tyre. Ish-ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, fillimisht paralajmëroi se ligji do të fillonte të zbatohej më 1 mars, por zbatimi u shty për shkak të reagimeve dhe vërejtjeve nga sektori i gastronomisë dhe industria e duhanit. Më 2 qershor, Qeveria e miratoi Propozim-ligjin, pas së cilës filloi procedura parlamentare. Propozimi ka ngecur që nga shtatori në leximin e dytë.

Me këtë zgjidhje ligjore, Maqedonia synon ta ulë shkallën e lartë prej 45 përqind të duhanpirësve në mesin e popullsisë së rritur.

Ndër propozimet në zgjidhjen e re ligjore ka pasur edhe një propozim për lejimin e të ashtuquajturave dhoma për pirjen e duhanit në institucione, kompani private ose objekte gastronomike. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në fund të shtatorit deklaroi se është kundër propozimit për dhoma të tilla në objekte dhe tha se Ministria kishte dhënë mendim negativ, pasi një zgjidhje e tillë do të mundësonte anashkalimin e rregullave të reja.

“Në disa vende ekzistojnë dhoma për duhanpirës, por ato kanë zgjidhje të tilla teknike dhe teknologjike që ne nuk arrijmë t’i realizojmë as në sallat tona operative, e lëre më në një restorant apo hapësirë tjetër. Konsideroj se kemi pasur dialog produktiv me Odën e Gastronomisë dhe me palët e tjera të përfshira. Duke pasur parasysh mbështetjen që kemi nga ana e tyre, konsiderojmë se kjo është zgjidhja optimale dhe duhet të komunikojmë me Kuvendin që ligji të kalojë nëpër të tri komisionet dhe të vendoset në seancë plenare për miratim”, tha Klekovski.

Me ligjin e ri ndalohet prodhimi, importi dhe shitja e produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë cigaret elektronike, që përmbajnë aroma të ëmbla, frutash ose bimore, si dhe aromë mentoli. Një nga risitë më të rëndësishme është ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në automjete private nëse brenda tyre ndodhet një fëmijë.

Pirja e duhanit mbetet e ndaluar në të gjitha hapësirat e mbyllura publike dhe objektet gastronomike. Përjashtim bëjnë vetëm ballkonet dhe tarracat e hapura në katet e sipërme, ndërsa në tarracat në katin përdhes pirja e duhanit do të lejohet vetëm nëse janë të hapura nga së paku tri anë dhe nuk kanë ndarje prej xhami ose najloni.

Gjithashtu, ndalohet ekspozimi i cigareve dhe pajisjeve për konsumimin e tyre në markete. Ato duhet të vendosen në dollapë të mbyllur, të cilët nuk janë të dukshëm për blerësit, ndërsa informacionet për çmimet do të jepen vetëm përmes një liste sipas rendit alfabetik.

Mbikëqyrjen inspektuese do ta kryejnë disa institucione, përfshirë Inspektoratin e Tregut, atë Sanitar dhe të Punës, si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Personi fizik që kapet duke pirë duhan në një vend ku kjo është e ndaluar do të gjobitet nga 150 deri në 300 euro. Nëse gjoba paguhet në vend, ajo do të jetë 100 euro.

Personat juridikë përballen me gjoba nga 2.000 deri në 5.000 euro, varësisht nga madhësia e tyre. Përveç kësaj, nëse konstatohet shkelje në një objekt, inspektori mund të shqiptojë ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë deri në tre muaj.

DuhaniParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut