Numri i të prekurve nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin në Maqedoninë e Veriut është rritur për 90,2 përqind brenda vetëm një jave. Edhe pse vaksinimi filloi më 21 tetor, disa nga qytetarët që janë paraqitur për t’u vaksinuar ende presin termin. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk bëhet fjalë për vonesë, por për vaksinim me prioritet të kategorive më të rrezikuara të popullsisë, ndërsa pritet të mbërrijnë sasi shtesë vaksinash, transmeton Portalb.mk.
Në periudhën nga 26 tetori deri më 1 nëntor të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 116 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, për dallim nga 61 raste në javën paraprake, tregojnë të dhënat e raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).
“Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 94 persona të prekur, numri i rasteve është rritur për 23,4 përqind. Në raport me mesataren e 16 sezoneve të fundit, rritja është 64,1 përqind”.
Numri më i madh i të prekurve rishtazi është raportuar në Tetovë, Kumanovë me 26 raste dhe Shkup me 13 raste. Sipas strukturës së moshës, pjesa më e madhe e të prekurve, përkatësisht 84 persona, janë të moshës 15 deri në 64 vjeç. Janë regjistruar edhe 25 persona të prekur mbi moshën 65-vjeçare dhe shtatë fëmijë të moshës pesë deri në 14 vjeç.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme javore, nga ISHP-ja theksojnë se ende nuk është arritur pragu epidemiologjik për fillimin e aktivitetit sezonal të gripit. Incidenca e raportuar është 6,3 raste në 100.000 banorë, që është nën kufirin javor të përcaktuar prej 7,32 rastesh në 100.000 banorë.
Ministria e Shëndetësisë informojnë se deri më tani në vend kanë mbërritur 30.000 vaksina, ndërsa gjatë kësaj periudhe priten edhe dy dërgesa të tjera, me nga 26.000 dhe 30.000 doza. Nga ministria shpjegojnë se aktualisht për caktimin e termineve prioritet kanë personat mbi 65 vjeç dhe të sëmurët kronikë nga kjo kategori e moshës.
“Në të vërtetë nuk ka vonesë, por vetëm prioritizim të kategorive më të rrezikuara”, thanë shkurt nga ministria për Meta.mk.
Në mesin e personave të paraqitur për vaksinim janë rreth 45.000 qytetarë mbi 65 vjeç dhe të sëmurë kronikë, për këtë arsye vaksinat në dispozicion fillimisht po u dedikohen këtyre kategorive.
Qytetarët që dëshirojnë të blejnë vaksinë nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, pasi, siç shpjegojnë nga ministria, në tenderin e Qendrës për Shëndet Publik për furnizimin me vaksina komerciale nuk është paraqitur asnjë ofertues.
Nga ISHP-ja rikujtojnë se vaksinimi është masa më efektive për mbrojtje nga gripi sezonal, veçanërisht për personat mbi 65 vjeç, fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë. Rekomandimet përfshijnë larjen e rregullt të duarve, ajrosjen e ambienteve, shmangien e kontaktit të afërt me personat e sëmurë dhe ruajtjen e një stili të shëndetshëm jetese.