Lëmsh në ansamblet “shqiptare” në Maqedoninë e Veriut: Njëri jofunksional, tjetri mezi mbahet

Assesi të nisin procedurat për ri-shpalljen e konkursit për Ansamblin e Tetovës, institucion ky që koncertin e parë promovues e pati në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare kurse aktualisht ka ngelur me vetëm dy të punësuar, një prej të cilëve është ushtrues detyre drejtor. Zgjidhje nuk ka as për artistët e Ansamblit Nacional të Valleve Popullore Shqiptare ndërkaq Portalb zbulon që propozim-ligji i ri mund t’i lë këta artistë përsëri vetëm me kontrata pesëvjeçare, shkruan Portalb.mk.

Pak para fazës së fundit të punësimit të 19 artistëve dhe 3 administratorëve në Ansamblin e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për bllokimin e të gjitha pëlqimeve për punësim që ishin dhënë deri para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

Si pasojë, ky institucion sot mezi funksionon, pa instrumentistë, pa mjete të nevojshme pune dhe pa administratorë. Ardi Ismaili, ushtrues detyre drejtor për Portalb thotë se shkresa e fundit që i kanë dërguar ministrisë për Kulturë ka qenë para 1 muaji.

Ardi Ismaili, ushtrues detyre drejtor i Ansamblit të Tetovës.

“Para 1 muaji kemi dërguar shkresë në ministri, konkursi atëherë u shpall por u ngri në fund të muajit qershor. Asokohe, konkursi për administratorë kishte kaluar fazën e parë të paraqitjes ndërsa konkursi për pranimin e artistëve ishte në fazën e dytë, të vlerësimit të dokumentacionit.”, tha Ardi Ismaili.

Megjithatë, Ismaili nuk është i sigurt se çfarë vendimi të presin nga ministria, thotë se “nuk dihet çfarë do të ndodhë, a do të na japin pëlqime të reja, apo do të ‘shkrihen’ këto pëlqimet e ngrira që të vazhdojmë me procedurën..”

Portalb-i disa herë ka dërguar pyetje zëvendës ministrit për Kulturë, Sedat Sulejmani por përgjigje nuk kemi marrë. Rikujtojmë që koalicioni VLEN erdhi në qeveri duke premtuar kthimin e të rinjve në vend dhe forcimin e kulturës shqiptare.

Mësojmë se në konkursin e fundit për 19 vende pune ishin paraqitur 45 instrumentist të rinj, njëri prej të cilëve me kusht që të ngelet anonim, i tha Portalb-it se nëse nuk ri-shpallet konkursi në afat sa më të shpejt, zgjidhje do të kërkojë në Gjermani.

“Po pres edhe pak, kam prit deri tash nga muaji qershor dhe shpresoj që më në fund të ri-shpallin konkursin dhe besoj që do e fitoj vendin e punës. Por, nëse nuk e ri-shpallin sa më shpejt, do duhet të shkoj në mërgim, në Gjermani me gjasë” tha ai për Portalb.

Lëmsh edhe në Ansamblin Nacional të Valleve Popullore Shqiptare

Tash më shumë se 3 muaj artistët e Ansamblit Nacional të Valleve Popullore Shqiptare kanë ngelur të papunë pasi iu kishte përfunduar kontrata pesëvjeçare ndërsa nuk kanë ecur procedurat për punësimin e me kontrata me kohë të pacaktuar të tyre.

Si zgjidhje që do t’i kthente kë artistë në vendet e punës me kontrata të me kohë të pacaktuar pune, u ofrua ndryshimi i Ligjit për kulturë. Portalb-i analizoi propozim-ligjin për kulturë të publikuar në ueb-sajtin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe nga kryetarja e komisionit për kulturë në Kuvend, deputetja Saranda imeri Stafai. Nëse propozim-ligji kalon si i tillë, artistët përsëri rrezikojnë të kthehen në punë me kontratë pesëvjeçare.

‘Screenshot’ nga postimi i deputetes Saranda Imeri Stafai.

Neni 2 i propozim ndryshimeve në Ligjin për Kulturë thotë, “Ofruesit e shërbimeve publike në kulturë të cilët deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë lidhur kontratë për punësim në kohë të caktuar, ndërsa për të cilat institucioni publik nga fusha e kulturës do të përcakton se ekziston nevoja e punësimit të tyre për shkak të kryerjes së papenguar të veprimtarisë së institucionit publik nga fusha e kulturës, marrëdhënia e punës në kohë të caktuar do ju shndërrohet në marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar.”

Me pak fjalë, sipas këtij neni, kontrata nga me kohë të caktuar në kohë të pacaktuar do t’ju transferohet të gjithë artistëve që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji kanë pasur të lidhur kontratë me kohë të caktuar. Aktualisht, artistët e këtij institucioni nuk kanë fare kontratë të lidhur, që i bije se për ata mund të mos vlejë ky ndryshim.

Pa treguar se si dhe pa e komentuar këtë dispozitë, deputetja Saranda Imeri Stafai në një bisedë telefonike shkurt i tha gazetarit të Portalb se “të gjithë këta artistë do të kthehen në punë, me kontrata me kohë të pacaktuar, po punojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt”.

Për t’u punësuar në këto dy ansamblet shqiptare, kërkohet të ndjeheni maqedonas

Për t’u punësuar në këto institucione të kulturës “shqiptare”, deri para pauzimit  të “balancuesit”, për shkak të dështimit të rregullimit adekuat ligjor para themelimit të tyre, konkretisht mos-përfshirjen e atyre në “balancues” artistët shqiptar deklaroheshin si maqedonas ndërsa Portalbi ka dëshmi që kjo ka ndodhur në të dyja institucionet.

Ansambli Muzikor i Tetovës, në prova gjenerale për koncertin e parë. Foto: Xhemazije Rizvani/Portalb.mk

Madje, në konkursin e fundit të Ansamblit të Tetovës, instrumentistët janë ‘udhëzuar’ që të deklarohen maqedonas, pasi sipas “balancuesit”, 65% e të punësuarve duhet të jenë maqedonas, 29% shqiptar dhe nga 1 turk dhe rom. Praktika e tillë është në ndesh me atë që u tha në koncertin e parë të këtij institucioni ku morën pjesë gjysma e funksionarëve të BDI-së, mes tjerash edhe Talat Xhaferi nga ku deklaroi se ky ansambël “do përmirësojë mirëqenien ekonomike të artistëve shqiptarë”.

Për ta parandaluar këtë, para themelimit të dy ansambleve është dashur të bëhen ndryshime në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, përkatësisht nga balanseri t’i përjashtonin edhe artistët e ansamblit.

Nga balansuesi aktualisht përjashtohen vetëm punonjësit e arsimit, teatrove dhe parashkollorët.

“Në institucionet arsimore, institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet publike shkencoro-hulumtuese, në institucionet publike për kujdes dhe edukim të fëmijëve parashkollorë, si dhe në tetatrot kombëtare, në të cilat veprimtaria në përputhje me ligjin realizohet në gjuhën maqedone, përkatësisht në gjuhën e komuniteteve të cilët nuk janë shumicë në Maqedoni, plani nga neni (2) nuk përmbanë të dhëna për ndarje të numrit të planifikuar për punësime të davatelite të shërbimeve publike sipas përkatësisë të komunitetit” shkruan në nenin 20a, pika 3 te Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik.

Meqë ky ligj është i vitit 2015, logjikisht në të nuk janë përfshirë ansamblet shqiptare pasi në atë kohë nuk kanë ekzistuar. Megjithatë, themelimi i ansambleve shtetërore “shqiptare” pa rregullim adekuat të ligjit, ku përqindja më e madhe e të punësuarve duhet të jenë maqedonas dhe shitja e tyre si ‘shqiptare’ për poena politike, vetëm i ka dëmtuar artistët shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Rikujtojmë që aktualisht balancuesi është i ngrirë nga Gjykata Kushtetuese ndërsa para pak ditësh Ministria e Administratës Publike dërgoi udhëzim deri te të gjitha institucionet publike që t’i ndërpresin të gjitha konkurset në të cilat është paraparë mjeti balancues.

“Procedura tashmë e filluar për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet nëse shpallja publike është bërë në përputhje me aktet, gjegjësisht dispozitat e përfshira në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, d.m.th nëse në shpalljen publike theksohet përkatësia ndaj një komuniteti, ose nëse kandidati detyrohet që në aplikacion të tregojë përkatësinë në një komunitet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Administrata PublikeAdministrata ShtetëroreAnsambli Muzikor i TetovësAnsambli shtetëror shqiptar i Maqedonisë së VeriutBalancuesi - Ligji për përfaqësim të drejtëKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)