Kuvendi miratoi disa ndryshime që zgjidhin problemin e personave pa shtetësi në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut pritet të zgjidhet problemi i personave që nuk kanë shtetësi pas miratimit të disa ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë është paraqitur nevoja për të ndërhyrë në dispozitat e caktuara në Ligjin për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve dhe Ligjin për letërnjoftim me qëllim të përfundimit të procesit të zgjidhjes së problemit të pashtetësisë, në mënyrë që pashtetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’i jepet fund dhe të zgjidhen të drejtat themelore të njeriut te rreth 700 persona, aq sa u detektuan në vendin tone”, njoftoi Kuvendi.

Ndryshimi I Ligjit për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit, si dhe Ligji për letërnjoftim, janë ligje që u miratuan në kuadër të seancës plenare të 125-të.

“Në këtë mënyrë, këta persona të paevidentuar – të ashtuquajtur fantomë tani do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut, kështu që Maqedonia e Veriut do të jetë e para në Evropë dhe në botë që do të ketë zgjidhur statusin e pashtetësisë. Po ashtu, ndërhyrjet e miratuara në ligjet e cekura janë garanci se situata me personat pa shtetësi nuk do të përsëritet në vend”, sqaroi Kuvendi.

Ndryshe, sistemi jo konsistent i shkëmbimit të të dhënave të institucioneve, numri i madh i procedurave burokratike dhe ligjet e krijuara keq çuan në faktin që mbi 700 persona në vend nuk kanë shtetësi. Shpesh të quajtur në publik si persona “fantom”, këta persona nuk kanë pasur akses në të drejtat elementare të njeriut – sigurim shëndetësor, posedim të letërnjoftimit dhe përdorimin e ndihmës sociale deri në hapjen e llogarisë së transaksionit. Gotën e derdhi rasti i Memet Kamber, djalit 19-vjeçar i cili vdiq muajin e kaluar për shkak të diabetit të padiagnostikuar, pasi nuk kishte mundësi të merrte sigurim shëndetësor dhe fillimisht shkoi në spital kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dukshëm librezë shëndetësore të dikujt tjetër. Edhe pas vdekjes, djali nuk mund të varrosej pasi nuk kishte dokumente identiteti, kështu që procedura zgjati më shumë se tre javë.

Dokumente personaleMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)NënshtetësiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutPolicia e Maqedonisë së VeriutTalat Xhaferi
Comments (1)
Add Comment
  • OSBE, UNHCR dhe ODIHR bashkuan forcat për t’i dhënë fund pashtetësisë në Evropën Juglindore – Portalb

    […] “Me këtë është paraqitur nevoja për të ndërhyrë në dispozitat e caktuara në Ligjin për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve dhe Ligjin për letërnjoftim me qëllim të përfundimit të procesit të zgjidhjes së problemit të pashtetësisë, në mënyrë që pashtetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’i jepet fund dhe të zgjidhen të drejtat themelore të njeriut te rreth 700 persona, aq sa u detektuan në vendin tone”, njoftoi  Kuvendi më 3 tetor. […]