Në vende dhe kontinente të ndryshme të rinjtë po dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj realitetit ekonomik, politik dhe shoqëror. Nga papunësia dhe kostoja e lartë e jetesës, te korrupsioni, pabarazia dhe mungesa e perspektivës, protestat e Gjeneratës Z po shndërrohen në një fenomen që kërkon vëmendje dhe analizë.
Në thelb, kjo revoltë buron nga hendeku ndërmjet pritshmërive të një brezi dhe mundësive që shoqëritë u ofrojnë atyre.
Të rinjtë përballen me vështirësi për të gjetur punë të qëndrueshme, për të siguruar të ardhura të dinjitetshme dhe për të përballuar shpenzimet bazë, veçanërisht strehimin, sigurimin e një banese për jetesë dhe për të krijuar familje.
Arsimi dhe kualifikimi nuk përkthehen gjithmonë në siguri ekonomike, ndërsa premtimi për një të ardhme më të mirë shpesh mbetet larg realitetit të përditshëm.
Një tjetër burim i rëndësishëm pakënaqësie është korrupsioni dhe perceptimi se mundësitë nuk ndahen sipas meritës, por sipas lidhjeve dhe afërsisë me pushtetin. Kur të rinjtë shohin pabarazi, nepotizëm dhe shpenzime publike që nuk përputhen me nevojat e qytetarëve, keqpërdorim të pronës publike, dobësohet besimi te institucionet dhe te vetë politika.
Pakënaqësia thellohet edhe nga cilësia e dobët e shërbimeve publike, arsimi që nuk i ndjek trendet teknologjike, kujdesi shëndetësor me mangësi, infrastruktura e amortizuar, institucione jotransparente. Për Gjeneratën Z, këto nuk janë thjesht probleme administrative, por tregues të cilësisë së jetës dhe të përgjegjësisë së institucioneve ndaj qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, shumë të rinj ndihen të papërfaqësuar politikisht. Ata nuk e gjejnë gjithmonë veten në strukturat tradicionale partiake dhe shpesh besojnë se zëri i tyre dëgjohet vetëm gjatë fushatave, ndërsa shqetësimet e tyre mbeten jashtë vendimmarrjes. Në disa shtete, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe të organizimit e kanë shtuar edhe më shumë tensionin.
Ajo që e dallon këtë gjeneratë është edhe mënyra e mobilizimit. Rrjetet sociale u mundësojnë të rinjve të komunikojnë drejtpërdrejt, të shpërndajnë informacion dhe të organizojnë protesta pa qenë domosdoshmërisht të varur nga partitë politike, sindikatat apo organizatat tradicionale. Një shqetësim lokal mund të shndërrohet brenda pak ditësh në pjesë të një debati shumë më të gjerë.
Natyrisht, protestat nuk kanë të njëjtat shkaqe në çdo vend dhe as çdo lëvizje përfaqëson të gjithë të rinjtë. Megjithatë, në shumë prej tyre përsëriten kërkesat për drejtësi, mundësi të barabarta, institucione transparente dhe përgjegjësi publike.
Sfida kryesore mbetet shndërrimi i protestës në ndryshim konkret. Pakënaqësia mund të tërheqë vëmendjen dhe të ushtrojë presion, por rezultatet afatgjata kërkojnë organizim, alternativa të besueshme dhe institucione që u përgjigjen kërkesave të qytetarëve.
Në fund, pyetja nuk është vetëm pse proteston Gjenerata Z, por edhe pse kaq shumë të rinj në vende të ndryshme po shprehin pakënaqësi ndaj realitetit që u është ofruar.
Kur një brez kërkon punë, dinjitet, drejtësi, banim dhe mundësi për të ardhmen, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm menaxhimi i protestës.
Ajo duhet të jetë përmirësimi i realitetit që e prodhon atë.
Shkruan:
Ahmed QAZIMI, PhD
Doktor i Shkencave të Edukimit