Kuaj dhe gomerë kullotin në Skejtparkun e Tetovës, NPK nuk e ka kositur barin (VIDEO)

Një tufë kuajsh dhe gomerësh për disa ditë kullotën në Skejtparkun e Tetovës, bari i të cilit nuk është kositur për javë të tëra nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK). Pronarët e bizneseve përreth u ankuan për Portalb.mk në lidhje me mosmirëmbajtjen e parkut dhe se pamjet e tilla janë shqetësuese. NPK-ja thotë se gjatë kësaj jave do të intervenohet.

Në redaksinë e Portalb.mk arritën ankesa për atë se bari në Skejtparkun afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë nuk është kositur për disa javë. Si pasojë e kësaj, një qytetar i pandërgjegjshëm solli një tufë kuajsh dhe gomarësh të kullotnin në këtë pjesë.

“Disa ditë janë këtu, nuk largohen. Nuk kanë ardhur ta kositin barin. Pamja është si në shtallë, nëntë kuaj”, tha një nga pronarët e bizneseve afër parkut.

“Kjo nuk është në rregull, e ndotin parkun dhe hapësirat përreth. Autoritetet nuk marrin masa”, tha një qytetar tjetër.

Gazetari i Portalb.mk ishte në këtë lokacion ku takuam të zotin e kuajve, ai menjëherë i largoi kuajt kur i treguam se jemi aty për të raportuar mbi këtë problem. Ai tha se i ka sjellë kuajt aty pasi bari është i pakositur.

Nga ana tjetër, kontaktuam NPK “Tetovën” për këtë problem. Nga atje shkurt na u përgjigjën:

“Gjatë kësaj jave do të intervenohet në këtë lokacion.”

 

Ndryshe, Skejtparku u realizua para rreth pesë viteve nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova. Ky park vazhdimisht ka qenë i lënë pas dore nga autoritetet pa përkujdesje, ndërsa Social Cultural Space Tetova,  vazhdimisht ka bërë thirrje për mirëmbajte të kësaj hapësire, madje edhe vetë kanë ndihmuar në pastrimin e saj. Për këtë problem Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Komuna e TetovësNdërmarrja Publike Komunale “Tetova” NPKNdotja e tokës mbeturinaSkejtparku në Tetovë
Comments (2)
Add Comment