Korriku ishte muaji më i suksesshëm në historinë e Aeroportit të Ohrit

Aeroporti i Ohrit “Shën Apostuli Pali” në Ohër ka shënuar rritje prej 41,21% të qarkullimit këtë korrik, kështu duke shënuar muajin më të suksesshëm në historinë e aeroportit, transmeton Portalb.mk.

TAV Maqedoni njoftoi se aeroporti i Ohrit ka shërbyer 52.544 pasagjerë, duke e bërë korrikun muajin më të suksesshëm në historinë e aeroportit.

Në këtë periudhë janë realizuar 443 fluturime, apo 34,65% më shumë krahasuar me korrikun e vitit 2025.

“Në të njëjtin muaj u vendosën edhe dy rekorde të tjera të rëndësishme. Më 26 korrik u regjistrua dita me frekuentimin më të madh në historinë e aeroportit të Ohrit, me 2.988 pasagjerë të shërbyer, ndërsa më 20 korrik u realizuan 22 fluturime rekord brenda një dite. Trendi pozitiv konfirmohet edhe përmes rezultateve kumulative”, thonë nga TAV Maqedoni.

Nga aty sqyruan se në periudhën janar–korrik, përmes aeroportit të Ohrit kanë udhëtuar gjithsej 175.182 pasagjerë, që është 24,24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku në të njëjtën periudhë janë realizuar 1.350 fluturime, që paraqet rritje prej 28,69% të trafikut ajror.

Rritja erdhi si rezultat i shtimit të numrit të destinacioneve të lidhura me Aeroportin e Ohrit. Këtë verë, Ohri është i lidhur me 14 destinacione në Evropë.

Rritje ka shënuar edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ku gjatë korrikut janë shërbyer 408.925 pasagjerë, që paraqet rritje prej 29,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa janë realizuar 2.670 fluturime, ose 10,3% më shumë se në korrik 2025. Dita me frekuentimin më të madh në Aeroportin e Shkupit ishte 31 korriku, kur u shërbyen 16.347 pasagjerë. Numri më i madh i fluturimeve brenda një dite, gjithsej 101 operacione, u realizua më 20 korrik.

Aeroporti i OhritAeroporti i Shkupit TAVTAV Maqedoni