Nëntë makina të lojërave të fatit, si dhe 405 pjesë për mirëmbajtje, janë sekuestruar pasi një importues ka tentuar t’i kontrabandojë në mesin e mallrave të deklaruara për import në njësinë e doganës në Gjevgjeli, transmeton Portalb.mk.
Drejtoria e Doganave njoftoi se pajisjet së bashku me pjesët e mirëmbajtjes janë zbuluar gjatë një kontrolli të detajuar i cili është kryer nga Ekipi Mobil i Departamentit të Kontrollit dhe Hetimeve.
“Ndaj firmës importuese të pajisjeve për kazino dhe automate janë ngritur kallëzime përkatëse për shkelje të rregullave doganore”, thanë nga Drejtoria e Doganave.
Nga atje shtuan se do vazhdojnë me aktivitetet për parandalimin e kontrabandës dhe ekonomisë gri.