Komunat nuk kanë detyrim ligjor të kenë shërbime inspektuese, mungon një sistem për licencimin dhe është formuar një trup i ri koordinues – Kolegiumi i drejtorëve të inspektorateve shtetërore, pa përfshirje të garantuar me ligj të inspektorëve lokalë. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e analizës së re të kornizës ligjore për mbikëqyrjen lokale inspektuese, të përgatitur nga Instituti për Kërkime Sociologjike dhe Politiko-Juridike (ISPP) pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, në kuadër të projektit “Inspektorët lokalë nën lupë”, të cilin e zbaton Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS), në partneritet me ISPP-në, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes Civica mobilitas, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse korniza ligjore përcakton standarde të përgjithshme për funksionimin e inspektorateve, “Analiza e kornizës ligjore për mbikëqyrjen lokale inspektuese” tregon se mospërputhjet sistemike, mospërputhjet terminologjike dhe mungesa e kuadrit në komuna rrezikojnë seriozisht efikasitetin e mbikëqyrjes lokale inspektuese në terren.
Gjetjet kryesore të analizës:
- Komunat kanë mundësi ligjore, por jo detyrim, për të organizuar shërbime inspektuese, që do të thotë se konsistenca e mbikëqyrjes inspektuese në masë të madhe varet nga vullneti politik lokal dhe jo nga një kornizë ligjore e standardizuar.
- Sistemi i licencimit të inspektorëve është hequr me Ligjin e ri për Mbikëqyrjen Inspektuese (2025). Sot, inspektor bëhet vetëm me vërtetim për dhënien e provimit, pavarësisht llojit dhe kompleksitetit të punës që do të kryejë.
- Statusi i inspektorëve rregullohet njëkohësisht me tre ligje të ndryshme (për nëpunësit administrativë, marrëdhëniet e punës dhe mbikëqyrjen inspektuese), gjë që krijon pasiguri juridike.
- Kolegiumi i sapoformuar i drejtorëve të inspektorateve shtetërore krijon mundësi për koordinim ndërmjet shërbimeve inspektuese, por mënyra e bashkëpunimit me inspektorët lokalë ende nuk është e rregulluar konkretisht me norma ligjore.
Bazuar në këto gjetje, analiza jep rekomandime konkrete për politikat publike, ndër të cilat futja e një minimumi ligjor të shërbimeve të detyrueshme inspektuese në çdo komunë (ndërtimtari, veprimtari komunale, arsim, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe shpëtim), nxitja e bashkëpunimit ndërkomunal për formimin e shërbimeve të përbashkëta inspektuese dhe rishikimi i sistemit të licencimit të hequr.