“Kolonia Ndërkombëtare Artistike 2025” do të sjellë në Tetovë 16 artistë nga vendi, rajoni dhe bota

Duke filluar nga nesër, e deri më 8 korrik, I.N. Galeria e Arteve në Tetovë organizon edicionin e 16-të të “Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2025”. Në këtë edicion do të marrin pjesë 16 artistë nga vende të ndryshme të vendit, Ballkanit dhe më gjerë, shkruan Portalb.mk.

Kolonia e artit vazhdon me misionin dhe vizionin e saj, me qëllim që të krijojë hapësirë për bashkëpunim mes artistëve, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të krijimtarisë artistike bashkëkohore, duke e pasuruar fondin e Galerisë me vepra të reja arti.

Arbenita Meta drejtoreshë e Galerisë së Arteve në Tetovë për Portalb.mk  tha se gjatë ditëve të kolonisë artistët do të pikturojnë vepra të cilat do ngelen në koleksionin e Galerisë.

“Kolonia Ndërkombëtare Artistike 2025 organizohet nga I.N. Galeria e Arteve Tetovë për të 16-tin vit me radhë në Kodrën e Diellit. Në këtë edicion janë të ftuar artist nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Ukraina. Kolonia do fillojë me hapjen solemne më datë 4 korrik në ora 19:30 në hapësirat ekspozuese të Galerisë së Arteve në Tetovë, ku dhe do hapim ekspozitën personale “Stinë Shqiptare” të piktorit të mirënjohur nga Shqipëria, Sadik Kasa. Kolonia do të përmbyllet me datë 8 korrik ndërsa ekspozita e kolonisë do të hapet më datë 7 korrik në ora 18:00 në hotel Scardus në Kodrën e Diellit, ku dhe do të shpërndahen mirënjohje për artistët pjesëmarrës. Gjatë ditëve të kolonisë artistët do të pikturojnë nga 2 vepra të cilat do ngelen në koleksionin e Galerisë”, tha Meta.

Behar Ferati kurator i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2025”, për Portalb.mk tha se deri tani kanë 378 vepra në koleksionin e tyre në Galeri.

“Gjatë katër ditëve artistët do të pikturojnë tema të ndryshme, tema është e lirë, secili vendos vet, kurse pikturat do të ngelin në koleksionin e Galerisë. Deri më tani kemi 378 vepra në koleksionin tonë. Qëllimi i këtij projekti është që të shoqërohemi dhe të krijojmë në vend të njëjtë, artistë nga gjitha vendet, të këmbejmë ide mbi artin, të pasurojmë koleksionin me vepra etj”, tha Ferati.

Ky projekt realizohet me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe me mbështetjen e miqve të I.N. Galeria e Arteve Tetovë, si: Tikvesh Winery, Birraria e Shkupit, si dhe Uji Pelisterka. 

Art - Vepra artistikeEkspozitëGaleria e Arteve TetovëKultura shqiptareKulturë lajme