Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, nuk do të shkarkohet nga detyra, edhe pse përmes Facebook-ut e ka glorifikuar kriminelin e dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiq, pasi ka kuptuar se ka gabuar dhe ka kërkuar falje. Kështu, kryeministri Hristijan Mickoski e “liroi” drejtorin nga çdo përgjegjësi, i cili, pasi i gjithë opinioni publik e dënoi qëndrimin e tij ndaj Mlladiqit, e fshiu postimin dhe i kërkoi falje Mickoskit, në vend që t’u kërkonte falje qytetarëve. Kryeministri, ndërkaq, tha se nuk duhet ta “kryqëzojmë” drejtorin dhe të kërkojmë përgjegjësi penale aty ku nuk ekziston, transmeton Portalb.mk.
“Unë nuk jam i informuar se përbën vepër penale, por ajo që ai tha dhe ajo që qeveria ka si qëndrim janë gjëra të ndryshme. Qeveria kishte një komunikatë të sajën. Qeveria është demokratike, ka debat të vetin brenda koalicionit dhe kur miratohet një qëndrim për një çështje të caktuar, të gjithë faktorët e Qeverisë duhet ta ndjekin atë qëndrim”, tha Mickoski.
Sipas tij, Qeveria e koalicionit duhet t’i mbrojë qëndrimet pas të cilave ka qëndruar, ndërsa çdo gjë tjetër është qëndrim individual.
“Nuk ka rëndësi këtu nëse ndonjë drejtor ka thënë diçka të tillë, nëse deputetët në parlament votojnë apo nuk votojnë, nëse kundërshtojnë ndonjë qëndrim e kështu me radhë. Nëse jemi Qeveri koalicioni dhe nëse në mënyrë koalicioniste i mbrojmë të gjitha qëndrimet, atëherë çdo veprim individual është veprim individual dhe qëndrim individual dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me qëndrimet e Qeverisë. Dhe ja, zotëria e tërhoqi qëndrimin e tij, kërkoi falje dhe mendoj se tani nuk duhet ta kryqëzojmë për diçka dhe të kërkojmë përgjegjësi penale për diçka që vetë e ka kuptuar se ka gabuar, ka kërkuar falje dhe e ka tërhequr qëndrimin e tij”, u përgjigj Mickoski në pyetjen e gazetarëve nëse Kitanoviq do të mbajë përgjegjësi për glorifikimin e Mlladiqit.
Kitanoviq, pas dy ditësh heshtjeje, e tërhoqi postimin dhe i kërkoi falje kryeministrit, pasi Qeveria e bëri thirrje të largohej nga detyra shtetërore nëse nuk pajtohej se Ratko Mlladiq është kriminel lufte. Funksionari ende nuk pranon se Mlladiqi, i cili vdiq javën e kaluar në Hagë në moshën 83-vjeçare, është kriminel lufte.
Kitanoviq shkroi se postimin e kishte fshirë menjëherë dhe se ishte i gatshëm të mbante përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por, siç shtoi, nuk do të mbajë përgjegjësi “për manipulimet e të tjerëve” me fjalët e tij. Ai mohon se me veprimin e tij ka dashur të ofendojë, poshtërojë apo lëndojë ndonjë pjesëtar të cilitdo popull, feje apo komuniteti etnik dhe akuzoi se ndaj tij është ndërmarrë një fushatë politike.
Opozita LSDM përsëri e kritikoi kryeministrin Mickoski dhe e akuzoi se, duke mos kërkuar dorëheqje dhe përgjegjësi nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoiljkoviq, dhe drejtori Kitanoviq, tregon se pajtohet me qëndrimet e tyre të shprehura publikisht lidhur me kriminelin e dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiq.
- LEXO: Nga glorifikimi i Mlladiqit te “viktima e linçimit”: Kitanoviqi fshiu postimin dhe i kërkoi falje Mickoskit
- LEXO: Qeveria i bëri thirrje Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin admirues për Mlladiçin
- LEXO: Skandaloze, drejtori i Agjencisë për të Drejtat e Komuniteteve në RMV dhe partia e Stoillkoviqit glorifikojnë Ratko Mlladiqin