KF Struga me trajner të ri, tri ndeshje para se të mbyllet sezoni

Ekipi strugan sot ka ndërprerë kontratën me trajnerin nga Shqipëria, Shpëtim Duro, për të përcaktuar një trajner të ri brenda ditës, trajneri i cili do të udhëheqë ekipin në tri ndeshjet e fundit në sezonin 2023/24, transmeton Portalb.mk.

“Pas një serie të rezultateve të dobëta, kur pikët ishin më se të domosdoshme në garën për titullin e kampionit, Bordi drejtues i FC Struga Trim Lum dhe trajneri Shpëtim Duro, me marrëveshje të dyanshme vendosën të ndajnë rrugët”, njoftoi KF Struga.

Ata në orët e pasdites njoftuan që ekipi në këtë periudhë do të udhëhiqet nga trajneri Meriton Gega.

“Klubi ka vendosur ti besoj skuadrën Meriton Gegës, edhe atë deri në fund të kampionatit. Vazhdojmë me kokën lartë, na presin 3 ndeshje shumë të rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt synimit ”, njoftoi KF Struga.

KF Struga, së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin janë në pozitën e parë në Ligën e Parë. Deri në përfundim të kampionatit kanë ngelur edhe tri javë, duke llogaritur që gjatë kësaj periudhe do të jenë edhe ndeshjet Shkupi  – Shkëndija (04 maj), Shkëndija – Struga (12 maj) dhe Struga – Shkupi (19 maj).

Në sezonin 2024/25 në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut do të jetë edhe ekipi tjetër shqiptar, Besa e Dobërdollit, pasi arriti të bëhet kampion në Ligën e Dytë në sezonin 2023/24.

Federata e Futbollit RMV (FFM)Futboll futbollist(e)KF Struga