Vaksinimi kundër gripit sezonal në RMV do të nisë në periudhën e zakonshme, nga gjysma e dytë e tetorit

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në deklaratën e sotme për media, informoi se këtë vit Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndryshuar të tri llojet e virusit në përbërjen e rekomanduar të vaksinës kundër gripit sezonal për hemisferën veriore, transmeton Portalb.mk.

“Ky ndryshim i njëkohshëm është i pazakontë dhe shkaktoi vonesa në prodhim te prodhuesit në nivel global. Për këtë arsye, në disa vende të Evropës dhe rajonit fillimi i vaksinimit pritet në nëntor. Në vendin tonë, tenderi për furnizimin me vaksina zakonisht shpallet në periudhën qershor–gusht, pas publikimit të llojeve nga OBSH-ja. Në tenderin e shpallur këtë vit nuk u paraqit asnjë ofertues. Ministria menjëherë ndërmori masa për sigurimin e vaksinave përmes një procedure tjetër. Në tri sezonet e fundit, vaksinimi në vendin tonë ka nisur në periudhën nga 16 deri më 25 tetor. Ministria e Shëndetësisë do të jetë e përgatitur që vaksinimi edhe këtë sezon të nisë në të njëjtën periudhë. Nga 80.000 dozat e planifikuara, 56.000 vaksina tashmë janë siguruar ose janë në proces të sigurimit, ndërsa aktivitetet për sigurimin e sasive të mbetura vazhdojnë”, theksoi ministri Klekovski.

Vaksina falas është e dedikuar për grupet prioritare: personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë.

Qytetarët do të informohen me kohë për fillimin e vaksinimit dhe mënyrën e caktimit të terminëve.

GripiMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiVaksinim