Këshilli i Kumanovës e miratoi planin për 27 punësime në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto”, pritet drita jeshile nga Ministria e Financave

Këshilli i Komunës së Kumanovës e ka miratuar planin vjetor të punësimit për vitin 2027 për Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto”, i cili parashikon hapjen e 27 vendeve të reja të punës. Megjithatë, punësimet nuk mund të realizohen pa miratimin përfundimtar të Ministrisë së Financave. Plani fillimisht do t’i dërgohet Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila më pas do ta procedojë në Ministrinë e Financave për miratim, Portalb.mk.

Drejtori i Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, Aleksandar Krstevski, tha para këshilltarëve komunalë se me planin parashikohet punësimi i gjashtë kujdestarëve, gjashtë infermierëve, pesë higjienistëve, dy kuzhinierëve, një kamerieri, si dhe nga një punëtor social, edukator, fizioterapist, terapist pune, kontabilist, jurist dhe roje sigurie.

“Institucioni ka nevojë për personel shtesë për të siguruar funksionim të pandërprerë dhe realizimin e të gjitha aktiviteteve. Gjatë vitit 2027 pritet rritje e obligimeve, ndaj është e domosdoshme të garantohet mbrojtje e vazhdueshme shëndetësore dhe sociale për përfituesit, si dhe të përmirësohen kushtet e jetesës në shtëpi. Veçanërisht e theksuar është nevoja për përforcimin e shërbimeve profesionale, që do të mundësonte kujdes 24-orësh për përfituesit dhe organizim më efikas të procesit të punës. Për ne do të ishte me rëndësi të veçantë që Ministria e Financave të miratojë sa më shumë vende pune, pasi institucioni është i hapur dhe kjo rrit përgjegjësinë për sigurinë e përfituesve”, tha Krstevski.

Portalb më herët ka raportuar për mungesën e stafit në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto” Kumanovë, kur drejtuesit e institucionit kishin bërë të ditur se rreth 30 të moshuar ndodheshin në listën e pritjes, por nuk mund të pranoheshin për shkak të mungesës së personelit.

Aktualisht, institucioni ka vetëm 33 të punësuar, ndërsa shtatë persona janë të angazhuar përkohësisht si staf i jashtëm. Shërbimet juridike, kontabiliteti dhe mirëmbajtja e higjienës mbulohen nga kompani private.

Shtëpia e Pleqve funksionon prej vitesh me staf të përgjysmuar dhe tashmë tre vjet pret miratimin e Ministrisë së Financave për punësime të reja. Edhe pse kapaciteti i planifikuar parasheh rreth 80 vende pune, aktualisht janë të angazhuar vetëm rreth 30 punonjës, të cilët kujdesen për afro 180 përfitues. Vetëm 13 kujdestarë dhe gjashtë infermierë, të organizuar në tre ndërrime, mbulojnë kujdesin e përditshëm, ndërkohë që standardet parashohin një kujdestar për çdo 10 përfitues në secilën ndërrim.

Ndryshe, në të gjithë vendin numri i popullsisë rezidente të moshës mbi 60 vjeçare është rreth 440,000. Gjithashtu shqetësuese është shkalla e ulët e fertilitetit prej 1.44 fëmijësh për grua, gjë që tregon se popullsia në RMV, në vazhdimësi po plaket dhe nuk po ripërtërihet.

Komuna e KumanovësKumanovaPlak(ë) PleqShtëpi e pleqve