Sistemi për mbikëqyrjen e trafikut “Qyteti i Sigurt” nga e shtuna, 12 shtator, do të fillojë të funksionojë edhe në territorin e Velesit, transmeton Portalb.mk.
Nga Ministria e Brendshme thonë se para aktivizimit janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme teknike dhe testimet përfundimtare, pas së cilave kamerat e sistemit do të vihen në funksion në rrugët e Velesit dhe rrethinës.
MPB-ja u bën thirrje drejtuesve të automjeteve t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe të sillen me përgjegjësi në komunikacion.
Kujtojmë se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.