MPB: Qytetarët të mos hapin mesazhe të rreme nga “Qyteti i Sigurt” dhe të mos ndajnë të dhënat personale

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton opinionin se gjatë periudhës së fundit është vërejtur një shtim i sulmeve të tipit fishing, të cilat, sipas saj, realizohen përmes mesazheve të rreme SMS, e-maileve, faqeve të internetit, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale, transmeton Portalb.mk.

Sipas MPB-së, mesazhet e rreme paraqiten si njoftime nga Departamenti i Automjeteve Motorike përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, ku përfshihet një lidhje (link) e rreme që i orienton qytetarët të kryejnë pagesë për një kundërvajtje të supozuar në komunikacion.

“Apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin linqe dhe mesazhe të dyshimta, të mos ndajnë kurrë të dhëna personale si numrat e kartelave bankare, fjalëkalimet ose identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara, të verifikojnë adresën e dërguesit – institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare, të përdorin autentifikimin me dy faktorë (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre dhe të raportojnë mesazhet e dyshimta te institucionet kompetente ose te banka përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ministria thekson se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtje në komunikacion duhet të vijnë nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti i mesazhit duhet të përmbajë patjetër targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, si dhe një link në formatin: https://safecountry.mvr.gov.mk

“Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon hetimet aktive dhe ndërmerr masa për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtij lloji mashtrimesh”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.

Autoritetet edhe më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.

Mashtrime online - vjedhje e te dhenave personaleMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Qyteti i Sigurt safe city