Kallëzim penal ndaj dhunuesit që e rrahu vajzën në Ohër, u arrestua edhe babai i saj për kërcënime

Sektori për Punë të Brendshme në Ohër ka ngritur kallëzim penal ndaj burrit nga Ohri, i cili rrahu të dashurën e tij dhe e la pa ndjenja në rrugë. K.K. (31) nga Ohri dyshohet për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor, transmeton Portalb.mk.

Natën mes së shtunës dhe së dielës, pas një zënke që kishte nisur në shtëpinë e tij dhe kishte vazhduar në makinën e tij, ai e kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij 26-vjeçare. Pasi kishte ndaluar automjetin, kishte vazhduar sulmin, gjatë të cilit vajza kishte humbur ndjenjat dhe ishte rrëzuar. Dhunuesi e kishte hedhur nga automjeti, pas së cilës ajo ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër dhe më pas në Spitalin “Shën Erazmo” në Ohër, ku i ishin konstatuar lëndime të rënda trupore.

“Janë ndërmarrë masa dhe, pak kohë pas ngjarjes, në orën 5 të mëngjesit, K.K. është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacionin policor. Ndërkaq, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike, Gjykata Themelore në Ohër ka marrë vendim dhe i ka shqiptuar masa kujdesi”, thonë nga MPB-ja.

Nga atje njoftojnë se dje në mëngjes, L.K. (51) nga Ohri, nëna e K.K., ka denoncuar se L.Gj. (49), babai i vajzës, përmes telefonit celular kishte kërcënuar djalin e saj, K.K., dhe të gjithë familjen. Babai i vajzës është privuar nga liria po atë ditë dhe është mbajtur në stacionin policor. Edhe ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës.

Rasti i sulmit në Ohër gjatë dy ditëve të fundit ka vërshuar edhe rrjetet sociale, ku familjarët e vajzës së rrahur kanë publikuar hollësi për rastin, por edhe për sulmuesin dhe familjen e tij. Nëna e vajzës pretendon në një postim në Facebook se sulmuesi kishte dashur ta vriste vajzën dhe ta fshihte veprën. Për prindërit e tij, ajo pretendon se mbajnë pozita të larta në institucione shtetërore dhe se janë të afërt me partinë në pushtet.

Dhuna familjareDhuna ndaj graveDhunë - Dhuna