Ankandi i parë për Alta Bankën do të jetë më 30 nëntor

Për të gjetur pronar të ri dhe për të krijuar kushte për vazhdimin e funksionimit të qëndrueshëm të “ALTA Bankës” SHA Manastir, Banka Popullore ka shpallur procedurën për shitjen e paketës dominuese të aksioneve të bankës. Bëhet fjalë për 372.742 aksione, përkatësisht 95,336% të numrit të përgjithshëm të aksioneve, në pronësi të “Alta Bankës” SHA Beograd në falimentim, transmeton Portalb.mk.

Shitja do të realizohet përmes Bursës së Letrave me Vlerë të Maqedonisë, sipas modelit “gjithçka ose asgjë”, që nënkupton se shitet e gjithë paketa e ofruar e aksioneve, pa mundësi për të blerë vetëm një pjesë të tyre.

Ankandi i parë publik në bursë është caktuar për më 30 nëntor 2026. Çmimi fillestar është përcaktuar në bazë të çmimit aktual në bursë dhe është 3.777 denarë për aksion.

“Nëse aksionet nuk shiten në ankandin e parë, ankandet e radhës do të mbahen më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor 2026. Në secilin ankand pasues, çmimi fillestar do të ulet për 10% krahasuar me çmimin fillestar të ankandit paraprak”, informoi Banka Popullore.

Investitorët e interesuar duhet që, më së voni deri më 19 nëntor 2026, të dorëzojnë në Bankën Popullore kërkesë për marrjen e pëlqimit paraprak për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë, si dhe një deklaratë me shkrim se do t’i paguajnë mjetet e nevojshme për blerjen e aksioneve. Në ankande do të mund të marrin pjesë personat që i plotësojnë kushtet ligjore.

Procedura është pjesë e aktiviteteve për sigurimin e një pronari të ri të bankës, krijimin e kushteve për vazhdimin e funksionimit të saj dhe mbrojtjen e interesave të depozituesve dhe klientëve të tjerë.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Banka - BankëBanka Popullore e RMV