Pas shumë zvarritjeve Komuna e Tetovës e shpalli thirrjen për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal

Pas shumë vonesave, Komuna e Tetovës e ka shpallur thirrjen për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, raporton Portalb.mk.

Thirrja është e hapur për organizatat rinore, forumet rinore të partive politike, organizatat e nxënësve dhe studentëve si dhe forma të tjera të organizimit rinor.

Thirrja vlen për të gjithë organizatat që veprojnë në territorin e Komunës së Tetovës.

Kushtet për aplikim janë: të kenë realizuar aktivitete në territorin e Komunës së Tetovës; të jenë të themeluara dhe aktive së paku një (1) vit para shpalljes së kësaj thirrje; delegatët dhe zëvendësuesit duhet të jënë të moshës 15–29 vjeç.

Aplikuesit duhet të dorëzojnë këto dokumente: Letër motivuese për pjesëmarrje në Këshillin Rinor Lokal (jo më shumë se 1 faqe); letër nominuese me të dhënat e delegatit; raporti vjetor i punës për vitin paraprak, i cili dëshmon se organizata ka qenë aktive gjatë vitit të kaluar me aktivitete të realizuara në Komunën e Tetovës.

Afati i aplikimit është nga 10 shtator deri më 25 shtator 2025.

Të gjitha organizatat e interesuara që i plotësojnë kriteret duhet t’i dorëzojnë dokumentet në email: info@tetova.gov.mk, ose në arkivin e Komunës së Tetovës, me shënimin: Aplikim për anëtarësim në Këshillin Rinor Lokal.

Vonesa në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj vjen si pasojë e prishjes së procedurës disa muaj më herët kur u konstatuan parregullësi.

Kronologjia e KRL-së në Tetovë

Përpjekjet e para nisën nga sektori civil në vitin 2015, por pa arritur të konsolidojnë një strukturë të qëndrueshme.

Në vitin 2017 u publikuan thirrje për delegatë për Këshillin Rinor Lokal në Tetovë.

Në vitin 2019 u miratua Strategjia e re Rinore e Komunës, ku u zgjodhën organet e para drejtuese.

Në vitin 2020, Kuvendi miratoi Ligjin për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore i cili detyroi komunat të krijojnë këshillat rinorë duke përfshi dhe Tetovën.

Më 21 qershor 2022, Komuna e Tetovës shpalli thirrjen për Këshillin Nismëtar prej 5 anëtarësh për të përgatitur themelimin e KRL-së sipas ligjit të ri.

shkurt 2023, Tetova më në fund e konstituoi Këshillin Rinor.

Komuna e Tetovës në vitin 2024 ka miratuar vendimin për verifikimin e mandateve të anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, si dhe vendimin për miratimin e Programit Vjetor të Punës së Këshillit Rinor Lokal për vitin 2025.

Gjatë përurimit të Qendrës së re Rinore në vitin 2025, kryetari i Komunës, Bilall Kasami, deklaroi se KRL-ja u vendos fizikisht brenda kësaj qendre.

Pas përfundimit të mandatit të udhëheqësisë së kaluar, zgjedhjet e reja janë shtyrë për në shtator 2026.

Ndryshe, Këshilli Rinor Lokal është detyrim që çdo komunë duhet ta formojë bazuar në Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore të cilin e miratoi Kuvendi i RMV-së janarin e vitit 2020.

Komuna e TetovësTë rinj - Rini - RiniaTetova