Gjykata Supreme e shfuqizoi vendimin e Apelit për dënimet më të larta ndaj disa të dënuarve në rastin “Llaskarcë”, rasti në rigjykim

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, me të cilin disa prej të dënuarve u ishin rritur dënimet që Gjykata Penale ua kishte shqiptuar me aktgjykimin e shkallës së parë, transmeton Portalb.mk.

Rasi është kthyer për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme, Këshilli për vepra penale shqyrtoi këtë lëndë dhe solli aktgjykim me të cilin pranohen kërkesat e paraqitura nga të dënuarit përmes mbrojtësve të tyre.

“Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Shkup, i datës 17 prill 2025, anulohet dhe lënda kthehet për rishqyrtim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Me njoftim dolën edhe nga Gjykata Penale.

“Me vendim të Gjykatës Supreme, aktgjykimi i shkallës së dytë, përkatësisht aktgjykimi i Apelit, shfuqizohet dhe kthehet për vendimmarrje të përsëritur”, thanë nga Gjykata Penale

Gjykata e Apelit në Shkup në prill të vitit 2025 ua rriti dënimet me burg disa prej të dënuarve për aksidentin e autobusit te Llaskarcë, të cilat Gjykata Penale ua kishte shqiptuar me aktgjykimin e shkallës së parë.

Në mesin e të akuzuarve që morën dënim më të lartë ishte Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Turs”, autobusi i së cilës doli nga rruga. Dënimin prej katër vitesh burg, të cilin Gjykata Penale ia kishte shqiptuar Belulit, Apeli e rriti më shumë se dyfish, përkatësisht në 10 vjet.

Përgjegjësi për transport në kompani, Remzi Miftari, i cili më parë ishte dënuar me gjashtë vjet burg, nga Apeli u dënua me 10 vjet burg.

Dy të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, në vend të dënimeve prej pesë vitesh të shkallës së parë, u dënuan me nga shtatë vjet burg.

Dënimet e të punësuarit të tretë në stacionin për kontroll teknik, Jane Bovarovski, dhe të shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski, mbetën të njëjta, përkatësisht pesë dhe 14 vjet burg.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, i cili u shpall në janar të vitit 2024, të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg.

Aksidenti i autobusit ndodhi më 13 shkurt 2019, kur autobusi i kompanisë “Durmo Turs” doli nga autostrada pranë fshatit Llaskarcë, duke qarkulluar në linjën e rregullt Shkup–Gostivar. Në aksident humbën jetën 16 udhëtarë, ndërsa 38 të tjerë u lënduan.

Procesi gjyqësor nisi po atë vit, kur në bankën e të akuzuarve u ulën pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, drejtuesi i kompanisë, shoferi i autobusit dhe tre persona të tjerë të punësuar në stacionin për kontroll teknik ku ishte kontrolluar autobusi, i cili gjithashtu ishte në pronësi të Belulit.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Gjykata Supreme RMVGjykata Themelore Penale Shkupi 1Lënda Rasti i autobusit “Durmo Turs”