Javën e ardhshme pritet të mbyllet lista me emrat e rrugëve në Tetovë

Komisitoni për emërimin e rrugëve në Tetovë pritet të javën e ardhshme të mbajë mbledhje dhe ta përfundojë listën me emrat e ri të rrugëve dhe më pas e njëjta të dorëzohet në Qeveri për pëlqim, raporton Portalb.mk.

Deri më tani, janë përcaktuar mbi 200 emra, ndërsa pritet që kësaj liste t’i shtohen edhe rreth 100 emra të tjerë.

Kryetari i komisionit, Albi Qamili ka thënë se më 15 ose 16 shtator pritet të mbahet mbledhja e radhës dhe deri më 20 shtator ta kenë listën përfundimtare.

“Në fazën e parë kemi kaluar 77 emra dhe në fazën e dytë 145, pra 222 emra deri tani janë konfirmuar, dhe në fazën tjetër do ketë edhe 100 emra pas çka do e shqyrtojmë bashkë me ekspertë”, tha Qamili.

Më pas, gjatë muajit tetor ky proces pritet të vijojë në Këshillin Komunal dhe në Qeveri.

Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë ka qenë aktuale periudhës së fundit pas shfuqizimit të disa emrave nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mosrepspektimit të procedurave ligjore.

Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.

Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.

Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.

Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin

Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.

As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007. 

Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra. 

Portalb.mk ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti. Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

Emrat e Institucioneve - RrugëveKomuna e TetovësTetova