Jon Frçkoski nga LSDM-ja, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar se Qeveria i ka sugjeruar Lotarisë që dividendën prej 4.8 milionë eurosh ta destinojë për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë, në kuadër të të cilit gjatë një muaji u organizuan performanca të David Guettas, Jose Carreras dhe një sërë këngëtarësh e artistësh maqedonas, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, Qeveria në seancën e 28 prillit i ka sugjeruar shoqërisë aksionare në pronësi shtetërore, Lotaria e Maqedonisë, që dividendën e vitit 2024, e cila nuk ishte shfrytëzuar, në vlerë prej 4.8 milionë eurosh (300 milionë denarë), ta destinojë për festimin e pavarësisë.
“Qeveria mund t’i ‘sugjeronte’ SHA Lotarisë Shtetërore që të njëjtat 300 milionë denarë t’i destinojë (ose t’i paguajë në buxhet) për mbështetjen e bujqve, për sigurimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Gostivarit, për rritjen e pensioneve për një pjesë të pensionistëve, për rritjen e pagës minimale (në një pjesë), ose për nevoja të tjera të domosdoshme… Por nuk e bëri këtë. Pra, Qeveria e Mickoskit vendosi, përkatësisht ‘sugjeroi’, që 5 milionë euro të përfundojnë pikërisht për festim. Nuk ka ‘elitë’ Mickoski, qytetarët nuk janë idiotë… Të kapëm përsëri duke gënjyer”, ka shkruar Frçkoski.
Partia Liberal-Demokrate (PLD) reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit se festimet dhe koncertet për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë u kanë kushtuar qytetarëve “zero denarë”. Sipas PLD-së, pas kësaj deklarate fshihet, siç thonë ata, një “sistem i reketit privat dhe korrupsionit, në të cilin njerëz të fuqishëm privatë blejnë paqen dhe favorin e Qeverisë, ndërsa qytetarët e paguajnë këtë përmes monopoleve dhe çmimeve të larta”.
LDP kërkon publikimin urgjent të të gjitha kontratave, sponsorëve dhe rrjedhave financiare për manifestimet e organizuara, si dhe të të gjitha kompanive të ashtuquajtura “shoqërisht të përgjegjshme”.
“Deklarata e kryeministrit se festimet dhe koncertet e shtrenjta nëpër vend i kanë kushtuar pushtetit ‘zero denarë’, sepse janë paguar nga ‘kompani shoqërisht të përgjegjshme’, nuk është lajm për menaxhim të përgjegjshëm, por pranim zyrtar i privatizimit të shtetit. Kjo nuk është qeverisje e përgjegjshme, por zëvendësim i reketit klasik, një sistem ku njerëz të fuqishëm privatë blejnë paqen dhe favorin e Qeverisë, ndërsa qytetarët më pas e paguajnë faturën përmes monopoleve dhe çmimeve të larta. Akuzonin për reket, ndërsa tani shohim një ‘Reket me steroide’, të maskuar dhe të pranuar publikisht!”, thuhet në njoftimin e PLD-së.
Pas shumë kritikave dhe kërkesave për përgjigje nga opinioni publik lidhur me shpenzimet për koncertet me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë, kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se i gjithë festimi i pavarësisë ka kushtuar 0 denarë për buxhetin dhe qytetarët, përfshirë edhe performancën e yllit botëror David Guetta.
“Kam një lajm të keq për të gjithë ata që spekuluan, kundërshtuan, shpifën, shpërndanë informacione të rreme, ndërsa unë heshta dhe nuk desha të flisja, sepse doja që gjithçka që përfaqësonte vërtet një moment të veçantë për qytetet në vend të ishte një moment i veçantë për qytetarët në të gjitha qytetet. Lajmi i keq është se të gjitha këto ngjarje i kushtojnë buxhetit 0 denarë. Të gjitha këto ngjarje qytetarëve dhe buxhetit u kushtojnë 0 denarë. Kontrolloni ‘Financat e Hapura’ dhe do të shihni se kjo u kushton qytetarëve dhe buxhetit 0 denarë. Gjithçka është organizuar nga kompani shoqërisht të përgjegjshme, ndaj më vjen keq që te disa persona funksionon Frojdi, të cilët mendojnë se ashtu siç kanë vepruar ata, do të veprojë edhe dikush tjetër. Por kjo është një qeveri e përgjegjshme, pro-Maqedonisë dhe pro-popullit, që kujdeset për qytetarët”, tha Mickoski.
Më herët, Prizma publikoi se thirrjen publike për të gjitha ngjarjet për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë e kishte publikuar Lotaria Shtetërore, në përputhje me Ligjin për Sponsorizime dhe Donacione.