Javën e ardhshme do të merret vendim se kur do të shpallet tenderi për garazhet në kate në Qendrën Klinike të Shkupit

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, javën e ardhshme do të ketë takim përfundimtar me ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, në të cilin së bashku do të shpallin se kur do të zbatohet procedura e tenderit për garazhet në kate në Qendrën Klinike Nënë Tereza, transmeton Portalb.mk.

Gjorgjievski thotë se pas përfundimit të procedurës së tenderit menjëherë do të fillojë ndërtimi i garazheve.

Kryetari sqaroi se dinamika e realizimit varet nga kapacitetet dhe obligimet e përfunduara më parë të Qytetit.

“Parashikuam mjete, bëmë ribalancim, por kishim edhe disa procedura të tjera që duhej t’i përmbyllnim – pagesat për Momin Potok ku trasa është zgjidhur plotësisht, për bulevardin ‘Boris Trajkovski’ hymë në proces që më në fund të përfundojë golgota e mbi 100 000 qytetarëve drejt Draçevës dhe fillon vendosja e kanalizimit atmosferik. Këtu janë edhe ura ‘Ljubljanska’, ‘General Mihajlo Apostolski’, Luna Parku. Tani janë në radhë edhe garazhet shumëkatëshe, tëmontuara të Klinikës”, tha Gjorgjievski.

Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Qyteti i Shkupit e nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e parkingjeve në kuadër të Qendrës Klinike Nënë Tereza më 7 mars të këtij viti. Marrëveshja është për 15 vjet, me 10 përqind qira nga qarkullimi i përgjithshëm i realizuar.

Në fazën e parë është paraparë ndërtimi i dy parkingjeve moderne në kate, me të paktën 500 vende parkimi, të cilat pritet të vihen në funksion deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Parkingjet do të jenë, para së gjithash, të destinuara për pacientët dhe për të punësuarit në Qendrën Klinike. Është planifikuar që njëri parking të jetë te Klinika e Gjinekologjisë, ndërsa tjetri te kisha në Klinikë.

Në 10 vitet e fundit, kanë ndryshuar 9 ministra të shëndetësisë. Imer Selmani, Bujar Osmani, Nikolla Todorov, Arben Taravari (2 mandate), Venko Filipçe, Bekim Sali, Fatmir Mexhiti, Ilir Demiri dhe Azir Aliu (aktual). Shumë prej tyre premtuan zgjidhjen e kaosit.

Ish-ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, kur mori detyrën, tha se së pari do të merrej me kaosin me parkingun në Qendrën Klinike, por kjo nuk ndodhi.

Më 7 mars të vitit të kaluar, kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria ishte e vetmja që aplikoi në thirrjen e shpallur për menaxhimin e parkingut në Qendrën Klinike. Taravari tha se nuk e dinte se çfarë portofoli kishte kjo kompani. Kjo kompani duhej të ndërtonte garazhe shumëkatëshe brenda “gjashtë muajsh deri në një vit”, por kjo nuk ndodhi sepse qeveria nuk e miratoi planin që kjo kompani ta ndërtonte atë.

Qendra Klinike ShkupQyteti i Shkupit